Egbo: E kam marrë vendimin, jemi gati për Laçin. Nwabueze, më i miri

schedule14:26 - 21 Dhjetor, 2019

schedule 14:26 - 21 Dhjetor, 2019

Emanuel Egbo dhe Tirana janë gati për ndeshjen e nesërme me Laçin. Trajneri nigerian i bardhebluve ka dalë sot para mediave dhe ka folur për takimin e nesërm dhe situatën në ekipin e tij. Sigurisht edhe e ardhmja e Egbo në krye të Tiranës u diskutua sërish.

“Duhet të futemi në fushë me motivim të lartë. Jemi pranë objektivit që ka vendosur klubi në fillim të edicionit, si dhe për vazhdimësinë për vitin e tjetër. Nuk është se e nënvlerësuam Flamurtarin. Me ta ishte ndryshe nga Partizani. Flamurtari luante me 10 lojtarë prapa. Kundër Partizanit ishte lojë e hapur.

Çdo ndeshje ka specifikën e vetë. Çunat janë gati dhe ndeshjen me Laçin duhet ta vlerësojmë maksimalisht. Kemi pak probleme nga infermieria. Mendoj se ekipi është gati. Rëndësi ka të kemi shpirtin e garës nesër. Ata gjithmonë janë agresivë në shtëpi. Do të japim 100% tonë”, tha Egbo.

I pyetur nëse triumfi 1-3 vjet në Laç u shërben si motivim, nigeriani shton: “Fitorja e vjetshme është motivim më tepër. Edhe para ndeshjes me Partizanin thuhej se do të humbnim me shumë gola, pasi kishim 4-5 ndeshje pa fitore. Skuadra e ka në dorë. Atë ndeshje lojtarët e fituan vetë. Janë gati të japin 100%”. Ai flet edhe për sulmuesin e Laçit, Kyrian Nwabueze. “Do ta diskutojmë me djemtë mënyrën se si do ta ndalojmë. Është sulmuesi më i mirë në kampionat. Ka shumë aspekte të mira si futbollist”.

“E ardhmja? Nuk e di pse ma bëni pyetje. Të mbarojmë ndeshjen dhe flasim me klubin. Unë e kam marrë vendimin. Jam në dispozicion të klubit më të madh në Shqipëri. Jam gati të jap 100%. Nuk më vjen keq në asnjë moment nëse nuk e drejtoj unë në vazhdim. Siç thashë, jam gati në çdo moment e situatë, për të marrë detyrat që më ngarkon klubi”.

“Pak eksperiencë si trajner? Nuk e di si mund ta japë përgjigjen. Nuk është se jam pa eksperiencë. Kam që në sezonin 2013-2014 që kam marrë licencë për të stërvitur portierët dhe ekipe. Duhet staf i kompletuar. Klubi ka nevojë për një staf të kompletuar”, përfundon Egbo deklaratën e tij. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!