Tirana kaloi një ditë intensive, por gjithçka u mbyll në mënyrën e duhur. Pjesëtarët e klubit kryeqytetas iu nënshtruan testeve të koronavirusit dhe të gjitha përgjigjet dolën negative. Çlirim i madh te skuadra kryesuese, që ka marrë rrugën drejt Gjirokastrës.
Nesër luhet përballë Luftëtarit vendas dhe nuk tolerohen hapa fals. Emmanuel Egbo ka analizuar situatën në konferencë për shtyp, aty ku flet për duelin e radhës dhe rrugën drejt titullit. Kukësi ndjekës do të përballet me Partizanin, por kjo sfidë nuk i intereson fare trajnerit bardheblu.
SITUATA – “Jemi të kujdesshëm, nuk kemi frikë. Lojtarët i kanë kryer të gjitha testet dhe kanë dalë negativë. Kështu që nuk ka asgjë për t’u shqetësuar”.
NDESHJA – “Nuk më tremb sfida ndaj Luftëtarit, sepse lojtarët tanë e dinë çfarë ndeshje na pret. Kaluam një ndeshje nga dhjetë finalet që kishim. Çdo ndeshje për ne do të jetë si finale deri në momentin e fundit. Pavarësisht se nga ana matematikore Luftëtari është poshtë, nuk ka mbaruar asgjë. Ata do të tregojnë kush janë dhe çfarë mund të bëjnë. I kemi vlerësuar maksimalisht”.
PARTIZANI-KUKËSI – “E kam thënë shpesh që unë merrem vetëm me ekipin tim. Nuk merrem me ekipet e tjera dhe nuk dua t’ia di se çfarë bëjnë ata. Në qoftë se marrim rezultatet që na takojnë, atëherë jemi në rregull me veten tonë”. /abcnews.al