Efektivi dhunoi të riun për shkelje karantine, Meta: Na kthen në kohët e arbitraritetit

schedule17:30 - 16 Maj, 2020

schedule 17:30 - 16 Maj, 2020

Presidenti Ilir Meta ka dënuar dhunën e efektivit të policisë ndaj të riut, ngjarje e ndodhur një ditë më parë në zonën e Liqenit Artificial. Meta thotë se kjo sjellje na kthen pas në kohët e arbitraritetit.

Ai kërkon zbardhjen e menjëhershme dhe me transparencë të saj dhe nxjerrjen pa zvarritje të mëtejshme të përgjegjësive ligjore.

“Dënoj me forcë sjelljen joprofesionale, shproporcionale dhe të dhunshme të disa punonjësve të Policisë së Shtetit ndaj një të mituri, i cili sipas raportimeve paraprake po lëvizte jashtë orarit të lejuar për shkak të masave kufizuese të marra në kuadër të gjendjes së pandemisë.

LEXO EDHE: Nëna e djalit të dhunuar për Abc News: Po trajtohet me psikologe, polici nuk tregoi se e kishte rrahur

Ky akt tepër i rëndë dhe i dënueshëm dëmton seriozisht imazhin e Policisë së Shtetit duke na kthyer pas në kohët e arbitraritetit.

Veçanërisht sjellja e çdo institucioni shtetëror përkundrejt të miturve në këto kohë të vështira duhet të garantojë ndërgjegjësimin e tyre për rëndësinë dhe respektimin e masave kufizuese, dhe jo ushtrimin e forcës policore.

Në respekt të sensibilitetit të madh shoqëror që ka shkaktuar me të drejtë kjo ngjarje, apeloj zbardhjen e menjëhershme dhe me transparencë të saj dhe nxjerrjen pa zvarritje të mëtejshme të përgjegjësive ligjore.

I bëj thirrje Policisë së Shtetit që gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore të bëjë kujdes maksimal në zbatimin me përpikmëri të ligjit dhe misionit të saj, si dhe të ketë parasysh se liritë dhe të drejtat themelore të njeriut garantohen nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në çdo kohë dhe duhen respektuar nga çdo autoritet”, shkruan Meta./abcnews.al