Efektivët në platformat SKY, Balla: Hetimi u krye nga Europol, rastet që do të vijnë…

schedule20:52 - 2 Nëntor, 2023

schedule 20:52 - 2 Nëntor, 2023

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla thotë se hetimet për përfshirjet e punonjësve të policisë në platformat SKY, është një punë në vijim e kryer nga Europol, ku e përfshirë është edhe policia shqiptare.

Në emisionin “Real Story” në ABC News, Balla u shpreh se lufta për të çuar në fund vetëpastrimin e policisë lidhet në mënyrë jetike me bashkëpunimin që me SPAK dhe me Prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm.

Ndër të tjera, Balla nënvizoi se rastet që do të vijnë, do të jenë raste në nivelin e pritshmërive të publikut.

“Sa i përket pjesës së hetimeve që lidhen me përfshirjen ose aksesin e punonjësve të policisë në dy platforma, është një punë në vijim që është kryer nga Europol, ku ne jemi të përfshirë. Jua thashë që lufta për të çuar në fund vetëpastrimin e policisë lidhet në mënyrë jetike me bashkëpunimin që ne kemi me SPAK dhe me Prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm. Gjej rastin të falenderoj një numër të konsiderueshëm të prokurorëve me të cilët policia bashkëpunon në mënyrë të përditshme. Ne kishim një prej operacioneve të rëndësishme që lidhej me trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, ku ishte i përfshirë një prej personave me rekorde të mëdha kriminale në vend, prej shumë vitesh në kërkim, ku nga hetimi i policisë në bashkëpunim me SPAK na rezultoi se ishte i përfshirë edhe shefi i komisariatit të Kurbinit.

Kjo është një luftë e përditshme, as SPAK nuk bën dot pa policinë dhe as e kundërta. Gjithë këto suksese lidhen pashmangshmërisht me rolin dhe udhëheqjen e hetimeve që bëhen nga prokurorët. Ajo që unë jam munduar ta them është që do bëj çmos që Policia e Shtetit jo vetëm të ketë një rol në suksesin e hetimeve, por edhe të rrisim kredibilitetin dhe konfidencialitetin. Nuk dua të hyj sot në detaje, por dua t’iu them që procesi i vetëpastrimit të policisë ka nisur, ka ecur mjaftueshmërisht mirë, por rastet që do të vijnë dhe nuk do vonon do jenë raste në nivelin e pritshmërive të publikut”, theksoi ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!