Efekti i vaksinës dhe rreziku nga fushata, Stroni në ABC: Ulja e shifrave? Gëzohuni, por jo shfrenim

schedule20:28 - 2 Prill, 2021

schedule 20:28 - 2 Prill, 2021

Mjeku infeksionist Gent Stroni u shpreh mbrëmjen e sotme në Radarin Informativ në ABC përballë gazetares Jonida Shehu se duhet të gëzohemi për uljen e trendit të infektimeve dhe fataliteteve, por jo të humbim vigjilencën.

Ne duhet të gëzohemi se trendi i shifrave që publikohen është në rënie dhe trendi ka rënie edhe te personat që humbin jetën. Por humbja e vigjilencës ndaj këtij virusi është e rrezikshme, masat duhet ti vazhdojmë ti mbajmë.

Dalja e diellit, të gjithë kemi marrë frymë më ndryshe, popullata ka menduar se cdo gjë mbaroi, por jemi akoma larg. Ndoshta do të vijojmë të bashkëjetojmë me këtë virus të paktën edhe një vit tjetër, jemi akoma në mes të rrugës” tha ai.

Por si shpjegohet ulja e rasteve? “Ka ato kurbat e veta, me ulje-ngritje, me ato valët e detit, me ulje dhe ngritje. Tani jemi në një trend zbritës. Vala tjetër nëse do të ndodhë do të jetë shumë e zbutur, jo si në nëntor” tha ai.

Mjeku Pëllumb Pipero ngriti shqetësimin se fillimi i prillit mund të sjellë rritje të rasteve me COVID-19 për shkak të grumbullimeve të fushatës. Të njëjtin shqetësim e ndan edhe Stroni. “Ekziston teorikisht, pasi njihen këto lloj valësh, nëse nuk do të tregohemi të kujdesshëm kjo do të ndodhë, por kemi edhe atë imunizimin e tufës”.

Por përse në Shqipëri janë shënuar kaq shumë vdekje nga COVID-19? “Në fillim nuk u mbrojtëm si duhet. Më pas vajtja në plazhe na dha një trend rritës në shtator, tetor dhe nëntor duke u bllokuar resurset e COVID-1 dhe 2. Ky është problemi kryesor. E njëjta gjë na ndodhi pas vitit të ri, dhe tani kemi këtë periudhën e relaksit” tha ai.

Në vazhdim të bisedës, mjeku u shpreh se virusi ka thyer cdo lloj ligj në mjekësi. “Tani në këto dy javë shikoj një ndryshim të formulës, psh nëse leukocidet duhet të ishin të ulëta, nuk janë më të tilla, por virusi është prezent, unë e lidh me rënien e një agresiviteti, uljen e ngarkesës virale në vendin tonë, kjo tregohet me shifrat e njerëzve që po infektohen më pak”.

Gjithashtu Stroni theksoi se ka pasur persona që janë riinfektuar “për faktin se antitrupat që kanë përfituar ose kanë qenë të pakta ose hiç”.

Por sa do të zgjasë efekti i vaksinës që po injektohet? “I pari që ka bërë vaksinën ka qenë në dhjetor dhe duhet të maten antitrupat në dinamikë. Duhet të shikojmë në shtator-tetor për të parë nëse do të duhet të kemi një vaksinim periodik si gripi”.

Në fund të bisedës, mjeku tregoi edhe nismën e sindikatës. “Mjekët dhe infermierët që shërbyen në COVID kanë një stres dhe presion shumë të madh. Ne pretendojmë që të mundet të bëjmë grupe për t’u ardhur në ndihmë këtyre mjekëve” tha ai.  / db/ Abcnews.al