Efektet pozitive, që nxisin katastrofat tek njerëzimi

schedule12:55 - 3 Prill, 2020

schedule 12:55 - 3 Prill, 2020

Në përgjithësi, ekziston një besim i shumëpërhapur, se recesionet ekonomike dhe katastrofat prodhojnë krim dhe kaos. Por të dhënat konkrete, nuk e mbështesin këtë ide. Pavarësisht se pandemia e Covid-19, ka futur në karantinë miliarda njerëz, ka sëmurë mijëra, dhe i ka marrë jetën deri tani mijëra njerëzve, kjo emergjencë e rëndë shëndetësore, ka sjellë edhe efekte pozitive. Ja cilat janë ato:

1.Kriminaliteti po bie

Ndërsa koronavirusi po përhapet me shpejtësi në mbarë botën, dhe pritet një recesion i madh ekonomik global me pasoja negative të paparashikueshme, shkalla e kriminalitetit po bie. Gazeta amerikane “The Washington Post” shkruajti: Javët e para të pandemisë në qytetin më të madh të SHBA-së, nxitën një rënie të krimit, pasi edhe kriminelët duket se janë po aq të frikësuar nga koronavirusi i ri, sa të gjithë të tjerët.

Javën e kaluar, Nju Jorku regjistroi vetëm 1 vrasje, krahasuar me 8 javën e kaluar.

Sulmet e dhunshme, kanë rënë me rreth 18 përqind, krahasuar me javën e kaluar”. Ndërkohë kriminaliteti po bie edhe në Britaninë e Madhe, por edhe në shumë vende të tjera nën karantinë. ”The Guardian” raporton:”Kriza e koronavirusit, ka çuar në një rënie të krimit, deri në 20 për qind në disa zona”.

Shkalla e kriminalitetit, ra edhe gjatë recesionit të madh të 2008-ës

“The Wall Street Journal”, raportoi se edhe pas recesionit të madh në vitit 2008, niveli i krimit në SHBA pësoi një rënie të ndjeshme. Në vitin 2009, FBI-ja raportoi një rënie prej 8 për qind të shkallës së grabitjeve në të gjithë vendin, dhe një rënie me 17 për qind të nivelit të vjedhjeve të makinave nga 1 vit më parë. Për më tepër, midis viteve 2008-2010, Nju Jorku raportoi një rënie prej 4 për qind të grabitjeve, dhe një rënie prej 10 për qind të vjedhjeve. Edhe Bostoni, Çikago dhe Los Angeles, raportuan rënie të ngjashme.

2.Solidariteti social, rritet gjatë kohërave të vështira

Komunitetet që pësojnë katastrofa, zhytën rrallë në kaos. Në fakt, shumë shpesh ndodh që solidariteti shoqëror të rritet. Në një studim të reagimeve sociale ndaj katastrofave natyrore në SHBA, sociologu Çarls Fric nuk gjeti asnjë shembull të një paniku të qëndrueshëm pas një katastrofe të madhe.

Sipas tij, fatkeqësitë krijojnë një “komunitet vuajtësish”. Përpjekja për të kapërcyer rreziqet e një fatkeqësie, dhe për të ri-stabilizuar jetën sociale, na ofron një strukturë dhe një synim për veprimtarinë njerëzore, që na mungon në jetën e përditshme. Në këto kushte, njerëzit e përdorin tragjedinë si një kornizë të zakonshme reference. Dallimet bëhen më pak të rëndësishme.

3.Njerëzit arritën të kapërcenin vështirësitë

Lidhja midis kërcënimit dhe solidaritetit të shfaqur, nuk është e rastësishme. Bashkëpunimi për të kapërcyer kërcënimet, është një tipar përcaktues i Homo sapiens. Juval Harari, autor i ”Sapiens”, vëren se tek për tek, një shimpanze do ta mposhte një njeri.

Por 1.000 njerëz, do t’i mposhtnin 1000 shimpanze. Kjo për shkak se aftësitë bashkëpunuese të njerëzve, i tejkalojnë ato të shimpanzeve. Michael Tomazelo, ekspert mbi aftësitë njohëse të shimpanzeve thotë: Është e pamundur, që të shihni ndonjëherë dy shimpanze të bashkëpunojnë mes tyre për diçka”.

Ndërkohë, njerëzit dëshirojnë kapërcimin e pengesave. Politikologu i njohur amerikan, Frensis Fukujama shkroi dikur:”Nëse burrat nuk mund të luftojnë dot për një kauzë të drejtë, atëherë ata do të luftojnë kundër një kauze të drejtë. Ata do të luftojnë për hir të luftës.

Pra ata do të luftojnë për shkak të një lloj mërzie:sepse ata s’mund të imagjinojnë dot të jetojnë në një botë pa luftë”. Kjo gjë sugjeron që kur të mbarojë lufta aktuale, ne do t’i rikthehemi fabrikimit të krizave të reja, që duhet t’i kapërcejmë. Por tani për tani, kemi përballë një krizë të vërtetë që duhet ta kalojmë. / abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!