Edicioni Veror, zv/ministri zbulon projektin e ri dedikuar të rinjve

schedule21:02 - 22 Gusht, 2018

schedule 21:02 - 22 Gusht, 2018

Një projektligj për të rinjtë ishte thelbi i intervistës së zëvendësministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Shpat Kolgega, në Edicionin Veror. E zhvilluar në parkun e Butrintit, ai tregoi se bëhet fjalë për projekte që kanë të bëjnë me shkëmbime rinore, me festivale dhe organizime.

“Deri sot ka disa organizime, ka disa qendra rinore, por nuk është organizuar në mënyrë të mirëfilltë që të mbështetet  nga shteti dhe të njihet nga shteti. Kështu që kjo gjë sjell struktura të organizuara, sjell infrastrukturë dhe sjell dhe buxhet për këta të rinj”, tregoi Shpat Kolgega.

E veçanta e ligjit, sipas Kolgegës është se do të mbështeten të rinjtë që janë të talentuar me anë të bursave, financimeve apo kurseve falas. Gjithashtu do të financohet në qendrat rinore, ku do të investohet për krijimin e tyre në çdo bashki.

“Të mundohemi që papunësinë të paktën ta luftojmë nëpërmjet orientimit dhe unë besoj se një nga arsyet që kemi edhe papunësi të të rinjve sot ka të bëjë edhe me faktin e orientimit sepse ka të rinj që janë orientuar keq”, u shpreh zv/ministri i Arsimit, Sporteve dhe Rinisë.

Në një kohë që shumica e të rinjve duan të largohen nga Shqipëria, Kolgega tha se qëllimi i këtij ligji është qëndrimi i tyre në vend.

“Ky është një ligj që t’i mbajmë të rinjtë këtu. Ky është një ligj që i ndihmon të rinjtë të kenë më shumë projekte, zhvillim, më shumë financim, me më shumë infrastrukturë”, tha ai.

Gjithashtu tregoi edhe mënyrën si do funksionojë.

“Për shembull në Korçë ne kemi qendër rinore. Do kemi mundësinë që nëpërmjet këtij ligji, të rinjtë që jetojnë në Korçë, Dardhë të mblidhen dhe të aplikojnë për financime dhe fonde që të krijojnë projekte në Korçë. Pra që të bëjnë një shkëmbim rinor, një udhëtim apo festival”, tregoi Kolgega.

Sipas tij, ky projekt ka të bëjë me argitimin, edukimin e deri tek vendimmarrja e të rinjve.

“Do të jemi në 12 qarqe të Shqipërisë për të konsultuar këtë ligj. Përgatitja e draftit do të përfundojë në muajin Nëntor, ndërsa më pas do të dërgohet për miratim në Kuvend. Nuk po them që do zgjidhen të gjitha problemet, por kjo do të jetë një bazë e mirë  për të filluar një proces tjetër aktivitetesh dhe jete rinore në të gjithë Shqipërinë”, përfundoi zv/ministri i Arsimit Rinisë dhe Sporteve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!