Këtë puntatë Edicioni Veror ndodhet në zemër të Dukatit. Zonë denjësisht përfaqësuese e traditave të qytetit të Vlorës. Dita filloi me mikëpritjen e familjes Gjoleka, shoqëruar me raki dhe kafe. Banorët na tregojnë për historinë dhe famën e fshatit të tyre.
Vlen për tu përmendur fakti se vetë Lord Bajroni gjatë kohës që do të vizitonte Ali Pashë Tepelenën, qëndroi për 8 ditë në Dukat dhe u mahnit nga zakonet e vendasve, por edhe nga bukuritë e vendit. Provë për këtë mbetet letra që ai i dërgoi nënës së tij, por edhe referencat në veprën “Shtegtimet e Çajld Harlodit”. Gjithashtu u diskutua dhe për polifoninë labe dhe karakteristikat e saj. U shpjegua kuptimi dhe rëndësia e “Treshes së Dukatit” dhe ndarjet e vokalistëve në polifoninë vendase: marrësi, hedhësi dhe pritësi. Dukati mbetet një vend magjik nga pikëpamja natyrore, por edhe nga pikëpamja njerëzore sepse është i vetmi fshat që laget nga dy dete. Aty gjendet një kullë unike e quajtur “Kulla e Dervishaliut”.
Profesor Ago Nezha na tregoi për impresionet që kanë pasur historikisht të huajt për Dukatin si p.sh: Eduard Liri, peisazhist anglez i shek. XIX. Prejardhja e emrit të këtij vendi thuhet të jetë për shkak se aty pushonin dukët. Pjesë e historisë mbetet dhe fakti se Jul Çezari në vitin 48 p.e.s zbriti në Palasë dhe pasi shkoi në Llogara ra në një dakortësi me banorët e zonës se nëse e linin të kalontë për në Orikum nuk do ti dëmtonte bagëtitë dhe kullotat e tyre. Nga kjo kemi dhe toponimin “Qafa e Qesarit”.
Edicioni Veror u përshëndet nga grupi polifonik i zonës me një nga këngët e tyre. Tashmë anëtarët e grupit me eksperiencë 30 vjeçare, të kryesuar nga i mirënjohuri Nazif Çela, treguan për kënaqësitë e pasionit të tyre. Gazetarja jonë pati shancin të bëhej anëtare e grupit për një performancë të shkurtër dhe emocionuese. Për të kompletuar udhëtimit në Dukat ajo u vesh dhe me rrobat tradicionale të zonës./abcnews.al