Edi Reja nuk i kursen elozhet: Napoli fiton titullin, Hysaj ndër më të mirët

schedule19:24 - 19 Shtator, 2019

schedule 19:24 - 19 Shtator, 2019

Napoli i sivjetshëm është i frikshëm dhe tepër i uritur për të fituar trofe. Edi Reja është një emër i njohur dhe i dashur në qytetin jugor. Katër sezone qëndroi trajneri në pankinën e Napolit gjatë viteve 2005-2009.

Prej 17 prillit të këtij viti është ulur në stolin e Shqipërisë, aty ku po tenton të ringrejë kombëtaren e shqiponjave sa më lart. Reja ka folur në një prononcim për “Radio Kiss Kiss”, duke u ndalur te gjendja e Napolit, forca e ekipit të Karlo Ançelotit dhe Elseid Hysaj.

Ekipi italian po rivalizon prej vitesh me Juventusin, ndërsa 73-vjeçari ka ndjesi shumë të mira për këtë sezon. Napoli e nisi mbarë edhe në Europë, duke mposhtur 2-0 kampionët e Liverpoolit në ndeshjen e parë të fazës së grupeve në Champions League.

“U bënë vite që Napoli ndodhet në nivel të lartë. Ju ka mbetur të hedhin hapin e fundit për të fituar trofe, por nuk është aspak e thjeshtë. Jam i lumtur që ka mbërritur Llorente, i cili është një lojtar shumë i rëndësishëm. Fernando (Llorente) mund të bëhet shumë vendimtar.

Ka 15 vite që De Laurentis nuk gabon në merkato dhe po arrin rezultate me ciklet e tij pesëvjeçarë. Kam ndjesinë që Napoli do ia dalë të fitojë titullin kampion këtë sezon.

Hysaj? Mes lojtarëve që kam stërvitur, Elseidi është ai që di të sulmojë shumë mirë hapësirat. Ka luajtur gjithmonë në një mbrojtje me katër, ndërsa te Shqipëria po luajmë me tre mbrojtës. I kam kërkuar të tentojë avancimet dhe ia doli të gjente edhe rrugën e rrjetës (kundër Islandës)”, thekson trajneri i kombëtares kuqezi. /abcnews.al