Trajneri i kombëtares Edi Reja zbulon se Shqipëria do të shfrytëzojë goditjet standarde përballë Francës. Kreu i pankinës së kuqezinjve këshillon lojtarët që të lënë shumë pak hapësira ndaj kampionëve të botës.
Trajneri i kombëtares shqiptare Edi Reja u shpreh optimist në prag të duelit ndaj Francës. Tekniku italian kërkon 11 luanë në fushë ndërkohë që këshilloi lojtarët që të lënë shumë pak hapësira për kundërshtaret. Kreu i pankinës së kuqezinjve zbulon edhe pikat e dobëta të kampionëve të botës.
“Nuk na lejohen gabimet dhe duhet të lemë shumë pak hapësira ndaj Francës. Futbollistët duhet të jenë shumë mirë fizikisht. Ata kanë lojtarë që shfrytëzojnë edhe hapësirën më të vogël ndaj duhet të jemi të kujdesshëm. Deschamps është një trajner i madh dhe kam shumë respekt. Ai do të hedhë në fushë një skuadër të ekuilibruar dhe nuk do të luajë vetëm në sulm. Duhet të tregohemi të shpejtë dhe të markojmë siç duhet. Griezmann është një lojtar shumë i rrezikshëm dhe duhet ta markojmë në të gjithë perimetrin e fushës”.
Trajneri Reja thekson se nuk mjafton vetëm eksperienca e Hysaj, por duhet kontributi i të gjithë lojtarëve. Në lidhje me strategjinë e lojës, tekniku italian tha se Shqipëria do të shfrytëzojë goditjet standarde.
“Hysaj është një futbollist me përvojë në arenën ndërkombëtare. Sigurisht që nuk mjafton vetëm ai pasi në ndeshje të tilla duhet kontributi i të gjithë lojtarëve. Duhet t’u rrëmbejmë topin sa më shpejt dhe të mos i lejojmë të dalin në lojën e tyre. Kam nevojë për 11 luanë dhe nuk luftohet vetëm me Hysajn. Franca ka lojtarë me një fizik të konsiderueshëm, por edhe ne kemi futbolliste shtatlartë. Do të shfrytëzojmë shanset tona nga goditjet standarde”.
Kapiteni i kombëtares shqiptare, Mërgim Mavraj kërkon përqendrim nga skuadra dhe kërcënon se Franca nuk do ta ketë aspak të lehtë. Ndeshja mes Francës dhe Shqipërisë do të zhvillohet të shtunën në orën 20:45./ABC News Albania 24/7