Edi Rama sërish përballë të gjithëve

schedule17:30 - 8 Qershor, 2019

schedule 17:30 - 8 Qershor, 2019

Gjashtë përgjime të dosjes 339 u publikuan nga tabloidi gjerman Bild, duke rikthyer aktuale temën e blerjes së zgjedhjeve, përmes personave me rekorde kriminale, me fokus zyrtarë të lartë socialistë të Durrësit. Publikimi i kombinuar me një lobim pa sukses për hapjen e negociatave, e ka vënë në një pozitë të vështirë kryeministrin Rama. Mimoza Koçiu na sjell këtë dinamikë zhvillimesh me Politika në ABC News.

Astrit Avdylaj: Dëgjo tashi, unë isha icik sot te ai në Durrës, jam këtu me Elton Arbanën (dhe me Dor Gallain ktu, edhe nesër kur të kesh kohë t’i du me fol icik, me atë listën ça ke aty, punonjës edhe kundra, që mund ti kesh të PD-s aty, na nji atje ke puna).

Ivo Doçi: I kam bo para unë kshu që i kam gati.

Astrit Avdylaj: Ashu, kur të kesh kohë, që ne duhet me i thirr atyre që ti tunim ka içik. O ke puna e tna japin voten ose të ikin ke shpia

Astrit Avdylaj nga Shijaku, i arrestuar Tetorin e kaluar me akuza për trafik droge, u bë protagonist javën politike që lamë pas,për ndikimin tek zyrtarët e lartë socialistë të Durrësit, deri tek lista e kandidatëve për deputetë në 2017. 6 përgjime të reja, pjesë e dosjes 339 të prokurorisë, u publikuan nga gjermania Bild,gazeta më e shitur në Europë, edhe pse kritikohet se duke qenë tabloid, ndjek më shumë skupin se lajmin, por sipas DW, politikanët i druhen. Publikimi erdhi teksa opozita e mazhoranca po lobojnë fort në Gjermani, në drejtim të kundërt, mbi rekomandimin e KE për hapjen pa kushte të negociatave me Shqipërinë. E gjitha kur prej mbi tre muajsh vendi është në krizë politike, me deklarata për konflikt civil nga njëra anë, e besim nga tjetra, se përgjegjësia do i mbetet palës tjetër. Pas gatishmërisë së presidentit për shtyrjen e vendoreve, publikimi i përgjimeve vjen si instrument shtesë presioni për marrëveshje mes palëve, ndërsa skeptizicmi për Shqipërinë në BE rritet.

Po çfarë ndodhi javën politike që lamë pas?

Publikimet e Bild patën efekt të fortë në opinionin publik. 6 telefonata të përgjuara të Astrit Avdylajt para zgjedhjeve 2017, shoqëroheshin me një shkrim të Peter Tiede, që vijon fokusin tek vendi ynë me titullin e madh: Ja se si mafia manipulon zgjedhjet në Shqipëri. Shkrimi niste me pyetjen: A lejohet ky vend në BE?

Gazeta sqaron se ç’ka po publikon janë pjesë e përgjimeve zyrtare të dosjes 339/1 të vitit 2017, të zyrës së antimafias në prokurori lidhur me aktivitetin kriminal të një organizate trafikimi ndërkombëtar droge, e njohur si klani i Avdylajve në Shijak. Nga vëzhgimet disa mujore është vënë re, se grupi i Avdylajve ishte i përfshirë në blerje votash e intimidim të votuesve, për llogari të zyrtarëve të lartë të partisë së kryeministrit Rama.

Në përgjimin e parë, ai që njihet si kreu i bandës së Avdylajve, i kërkon administratorit të UK Shijak,një listë të punonjësve demokratë, në mënyrë që ai vetë t’i shkundë, që të votojnë për socialistët ose të humbasin vendin e punës.

Në përgjimin që mban datën 28 Mars 2017, Astrit Avdylaj koordinon me kryetarin e bashkisë Shijak Ardian Kokomani, një takim me Vangjush Dakon e Ilir Ndraxhin, asokohe kandidat në perspektivë me rekomandim të Avdylajve, sot një nga 8 deputetët e PS në Durrës, i renditur i katërti në listë.

Investimi i Astrit Avdylajt dëgjohet tek përgjimi i tretë, një telefonatë me Ilirin, vëllain e kandidatit në perspektivë në kohën e përgjimeve, Ilir Ndraxhi, por edhe synimin e grupit Avdylaj për të surprizuar kryeministrin duke marrë 10 deputetë në Durrës.

I përmenduri Elton Arbana, ishte kreu i PS në Shijak në kohën e përgjimeve, sot kandidat i socialistëve për këtë bashki. Atij Astrit Avdylaj i irrituar, i kërkon të ndërhyjë për një gjobë të inspektoriatit ndërtimor në zonën e Sukthit, meqë vetë nuk arrinte të lidhej më Vangjush Dakon që ndodhej në Zvicër me Kryeministrin Rama.

Bild publikon edhe një telefonatë të Astrit Avdylajt me Vangjush Dakon. Avdylaj duket i mirinformuar për lëvizjet e Kryeministrit e kryebashkiakut të Durrësit, të cilit i kërkon të përfundojë një punë në Hipotekën e Durrësit, për një ish të dënuar për vrasje, Vath Allën.

Në përgjimin e fundit, dëgjohet sesi Astrit Avdylaj siguron vota për kandidatin socialist Ilir Ndraxhi, duke ofruar shpërblim.  Të mërkurën e 5 Qershorit, ditën e këtyre publikimeve, Kryeministri u shfaq i shkujdesur që në mëngjes, në një kafe elektorale përkrah Erion Veliajt.

Dukshëm po përpunohej strategjia reaguese. Nuk mund të përsëritej më gabimi i sulmeve ndaj gazetarit të Bild si i blerë, për më tepër që vijimi i publikimeve, dukej kujtesa e qartë, se një betejë me median është gjithnjë e humbur. Pra të paktën publikisht, nuk do reagohej njëlloj. Strategjia e përzgjedhur, u pa të shkontenga shpërqendrimii opinionit me çështje me ndjeshmëri publike, tek zhvendosja e vëmendjes, tek një tjetër përgjegjës.

Reagimi kërkoi kohën e vet, e në orën 14:00, kreu socialist i komisionit të ligjeve Ulsi Manja, nga selia e kryesisë së Kuvendit, foli për nxjerrje sekreti hetimor e prishje hetimi.

“Rastësi apo jo, për nxjerrje sekreti hetimor e prishje hetimi, folën edhe tre institucione të prokurorisë. E para prokuroria e Tiranës,bëri të ditur nisjen e hetimit për nxjerrje të sekretit hetimor, edhe pse një hetimi i ngjashëm ishte njoftuar në 31 janar nga Prokuroria për Krime të Rënda. Në të njëjtën linjë edhe Prokurorja e Përgjithshme ePërkohshme, e cila kërkesën për hetim dhe zbardhje të çështjes, e shoqëron duke folur për prokurorë militantë”, tha Manja.

Një zë nga socialistët e konsideroi publikisht përgjegjëse për këtë situatë Arta Markun, tashmë mes kandidatëve për Prokurore i Përgjithshëm të përhershëm.

Reagimi i tretë ishtë ai nga Dy prokurorët e kësaj dosje, Dritan Prenci e Vladimir Mara. Të dy konkludonin se faktet e publikuara në media,dëmtojnë rëndë vijimin e ndjekjes penale të këtij procedimi penal, aq më tepër kur hetimet prej tyre thonë se janë intensifikuar. Të dy urdhërojnë ndalimin e publikimit në media të akteve të dosjes së zgjedhjeve, duke kujtuar ndëshkimin penal. Ky urdhër i prokurorëve, u pa si një kërcënim edhe për mediat e nuk vonoi reagimi kundërshtues.

A ishte vallë ai urdhër i prokurorëve, pjesë e operacionit strategjik të komunikimit, për largim vëmendje nga brendia e përgjimeve të publikuara nga Bild? Në fakt opinionit iu dhanë atë ditë, edhe dy tema të tjera. I pari ministri në Detyrë i jashtëm njoftoi vetë lëvizje të 50 diplomatëve.

Efekti zgjati aq sa koha e deklaratës së Gent Cakajt, e njëlloj edhe rikthimi i temës së prishjes së Teatrit Kombëtar.

Çka zgjati më shumë ishte ndjeshmëria e gazetarëve për urdhrin e dy prokurorëve. Opinioni u la të paktën 24 orë në këtë mëdyshje, për të sqaruar se referenca ishte vetëm për personat që kishin akses në dosje. Këtu edhe vetë Kryeministri u vu në krah të medias, për të thënë se ndryshe nga javë më parë, tani e mirëkuptonte Peter Tieden.

Publikimet e Bild imponuan një komunikim të posaçëm publik nga drejtuesja e Krimeve të Rënda, që listoi prokurorët e dosjeve në 3 vjet, e persona të tjerë që kanë pasur akses zyrtar. Znj Prela ndau edhe informacionin se përgjimet vijokan edhe në vitin 2019, ndërsa materialet përveçse audio janë edhe video.

Vetë Kryeministri kishte heshtur për një ditë e gjysmë për publikimin e Bild, duke ndjekur zbatimin e strategjisë së komunikimit, që duhej të shmangte pritshmërinë apo nxitjen publike për një dorëheqje të tij. Tempizmi në reagim është i çmuar në raste të tilla dhe Km pati gjithë kohën ta kapërcente atë moment të nxehtë. Ditën e publikimit të Bild,kishte anuluar takimet elektorale dhe kishte ikur larg Tiranës. U shfaq në Floq të Korçës, 5 ditë pasi banorët ishin prekur nga tërmeti, duke u premtuar vetë rindërtim të shtëpive.

Nga ana e saj opozita e la të lirë fushën e komunikimit strategjik e reagoi vetëm të nesërmen me zë e figurë. Lëvizja e Merkel dukej në përputhje me një skenar që kishte artikuluar gjatë takimeve këtë javënë Bruksel, Km i MV Zoran Zaev.

Zërat se MV po lobon që të vlerësohet veçmas janë shtuar. Edi Rama nuk flet për këtë çështje, por vlerësimi i njëllojtë për dy vendet, do i voliste politikisht. Çka nuk mund të shmangë është tema e publikimeve të Bild, e të enjten në mbrëmje Edi Rama u shfaq në studion e Sokol Ballës, ndërsa Vangjush Dako tek ajo e Blendi Fevziut. Dukshëm Kryeministri ka zgjedhur të sulmojë e jo thjesht të bëjë viktimën.

Nga studio e Fevziut, Vangjush Dako, që tetorin e kaluar konfirmonte komunikimet me vëllain e astrit Avdylajt me nofkën Niçja, mohonte atë komunikim me Astrit Avdylajn. Për Dakon, vota e çdo individi vlen në zgjedhje.

Të nesërmen strategjia e sulmit u pasurua me akuzat se PD paguan mediat e huaja për këto publikime. Strategjia në tërheqje e opozitës pas këtyre publikimeve qënë një farë mënyre reflektojnë akuzat e saj, ngre pikëpyetje: A po përdoren vallë si një instrument për të imponuar një marrëveshje politike? Lëvizja e Bashës nëpër qytete për të nxitur njerëzit në protestë mungoi javën politike që lamë pas, por ishin aleatët e tij ata që i kërkuan publikisht presidentit shtyrjen me 6 muaj të datës së zgjedhjeve.

Mundësia e një dekreti të ri të Ilir Metës, duket një alternativë me të cilën janë familjarizuar edhe ndërkombëtarët. Ambasadori italian nuk e rekomandon pa një marrëveshje. Kryeministri vazhdon të insistojë se data e zgjedhjeve nuk ndryshon.

Lulzim Basha reagoi vetëm pasditen e të premtes. Konfirmoi se përgjimet e Bild dokumentuan akuzat e PD ndaj Km dhe janë arsyeja pse opozita dogji mandatet e nuk mund të hyjë në zgjedhje me Edi Ramën e se protestat do vijojnë deri në largimin e km.

A mund të bëhet fakt i kryer nga presidenti në mungesë të një marrëveshje? Akti mund të kontestohej, por pa patur një derë për ankimim, pasi Gjykata Kushtetuese është jashtë funksionit. E njëjta mungesë zmbraps çdo reagim për shkarkimin e presidentit, pasi votat e parlamentit nuk janë akti i mjaftueshëm. Vetë Meta në një intervistë për DË tha se ka nxitur vazhdimisht dialogun, por për fat të keq Kryeministri ka qenë refuzues për rishikimin e datës së zgjedhjeve, ndërsa Basha ka si parakusht që Rama të mos jetë në një tryezë dialogu në cilësinë e kryeministrit. E qartë është se tensioni mes palëve është më i fortë pas kuintave, se para syve të publikut, e lëvizjet nuk do mungojnë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!