Edhe studentë të huaj, në konvikte/ “Qyteti Studenti”, këtë vit me 14 godina të reja

schedule12:19 - 21 Shtator, 2024

schedule 12:19 - 21 Shtator, 2024

Klajdi Kaziu është një i ri nga Tirana. Këtë vit nuk do të jetojë në shtëpinë e tij, por në një nga konviktet e Qyteti Studenti.

27 vjeçari është një nga tre të rinjtë shqiptarë që ka fituar bursën për ndjekur studimet në Kolegjin e Europës.

Një nga kushtet me të cilën u përball ishte jetesa në konvikt si kriter i Kolegjit të Europës për t’ju dhënë studentëve përvojën e bashkëjetesës kolektive.

“Në Shqipëri hera e parë, por në studimet e mëhershme jashte vendit në Gjermani dhe Francë po, dhe mund t’i krahasoj kushtet si janë këtu dhe sa më mirë janë kushtet në godinat e reja që janë ndërtuar këtu në Tiranë”.

Bashkejetesën me të huaj nga vende të ndryshme të Europës në qytetin e tij, e quan një eksperiencë të veçantë, ndonëse për të nuk është hera e parë.

“Këtu jemi 32 studentë nga gjithë Europa, ndaj dhe jetesa në këtë ambjent kaq ndërkulturor është sa e bukur dhe sfidë. Konvikti ka rregulla të mira, secili ka dhomën e tij, ke kohe dhe hapësire personale, por kemi edhe ambjente të përbashkëta”.

Pak javë para nisjes së vitit të ri akademik, studentët vijojnë të akomodohen në konvikte.

Irisi Shaqiri nis studimet në vitin e dytë tek fakulteti Ekonomik, ndërsa ka zgjedhur që të jetojë në konvikt pasi për të kostot janë më të lira.

“Për mua është e përballueshme në konvikt. Kushtet te godina e re janë të mira. Jam nga Elbasani, por kam zgjedhur të jetoj në Tiranë pasi të jepen më shumë mundësi”.

Rezidenca studentore nr.1 ka kapacitet për të akomoduar në total 4500 studentë, ndërsa deri më tani janë regjistruar 3400.

“Ky vit i ri akademik na gjen me 14 godina te reja, kemi shume kerkesa. Vendet te godinat e reja, thuajse janë të ezauruara”.

Anila Shehu, drejtoresha e Qendrës Studentore, thotë se këtë vit kërkesat janë më të larta, kjo edhe per shkak te rrritjes së çmimit të qirave në kryeqytet.

“Studenti e realizon tarifen sipas mundësisë që ka, të plotë ose me këste për disa muaj, ose edhe çdo muaj”.

Në total rezidenca studentore nr.1 ka 29 godina. Studentët që akomodohen në konviktet e reja të rindërtuara paguajnë një tarifë prej 5500 lekësh, ndërsa për godinat ekzistuese 4500 lekë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!