Pa asnjë sëmundje shoqëruese, humb jetën nga koronavirusi 43-vjeçari nga Kamza

schedule16:33 - 18 Korrik, 2020

schedule 16:33 - 18 Korrik, 2020

Katër persona e kanë humbur betejën me Covid-19 në 24 orët e fundit. Mes tyre, sipas asaj që njoftoi Ministria e Shëndetit, është edhe një 43-vjeçar nga Kamza. Si duket, pacienti në fjalë nuk ka pasur sëmundje të tjera shoqëruese, por pavarësisht kësaj nuk ka arritur që t’ia dalë mbanë.

Siç njoftohet, ai ka qenë i intubuar, në gjendje të rëndë prej ditësh dhe nuk ka arritur që të mbijetojë pavarësisht përpjekjeve të bëra nga mjekët.

Ndërsa, sa i përket viktimave të tjera, e kanë humbur betejën me virusin e rrezikshëm edhe një 60-vjeçar nga Shkodra, një 64 vjeçar nga Durrësi në Spitalin Infektiv dhe një 61-vjeçar nga Tirana në Spitalin ‘Shefqet Ndroqi’, me sëmundje bashkëshoqëruese.

Lexo edhe: 4 të vdekur, 102 të infektuar: Koronavirusi “shtrohet” këmbëkryq në Shqipëri

Në dy spitalet Covid në vendin tonë vijon të ketë shtrime të reja dhe situata paraqitet serioze. Aktualisht në këta dy spitale po trajtohen 110 pacientë, 14 në terapi intensive dhe 1 i intubuar.

Po ashtu, gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 501 testime për të dyshuar të prekur me COVID19, nga të cilat janë konfirmuar 102 raste pozitive.

Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 67 raste në Tiranë, 5 në Shkodër, nga 4 raste në Krujë, Pukë, Pogradec, 3 raste në Mirditë. Nga 2 raste në Berat, Kavajë, Peqin, Elbasan. Nga 1 rast në Durrës, Has, Korçë, Lezhë, Lushnjë, Vlorë, Sarandë.

COVID-19 – Statistika (18 Korrik 2020)
Testime totale 35107
Raste pozitive 4008
Raste të shëruara 2264
Raste Aktive 1631
Humbje jete 111 (Qarku Tiranë 57, Shkodër 18, Durrës 17, Fier 5, Elbasan 5, Vlorë 3, Kukës 2, Lezhë 1, Berat 1, Dibër 1, Korçë 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 774
Durrës 207
Shkodër 193
Vlorë 102
Lezhë 85
Kukës 50
Korçë 53
Berat 38
Elbasan 46
Fier 38
Gjirokastër 21
Dibër 24 /abcnews.al/