Edhe pas tragjedisë, mjetet lundruese “nuk vënë mend”, bllokohen 2 prej tyre në Velipojë e Dhërmi

schedule13:39 - 12 Gusht, 2022

schedule 13:39 - 12 Gusht, 2022

Policia Kufitare e Vlorës ka bllokuar një mjet lundrues i cili nuk respektoi zonën e kufizuar për mjetet lundruese në plazhin e Dhërmit.

Edhe pse kanë kaluar vetëm 10 ditë nga tragjedia e Himarës, ku mbeti e vrarë Jonada Avdia 7 vjeç, pasi u godit ga skafi i drejtuar nga polici Arjan Tase, mjete lundruese me sa duket vijojnë shkelin rregullat e sigurisë.

Kapiteni i Yaht-it është gjobitur me masë administrative 10.000 lekë të rinj dhe i është bllokuar mjeti lundrues për 5 ditë.

Shërbimet e DVKM Vlorë, në vijim të kontrolleve të mjeteve lundruese, në kuadër të masave për rritjen e parametrave të sigurisë në plazhe, gjatë patrullimit në plazhin e Dhërmiut, kanë konstatuar duke lundruar, në një zonë të kufizuar për ushtrimin e aktivitetit të turizmit detar, një mjet lundrues tip “Yaht”, që paraqiste rrezikshmeri për pushuesit.

Menjëherë është bërë ndalimi i drejtuesit dhe shoqërimi i tij, bashkë me mjetin lundrues, në PKK Himarë. Në bazë të ligjit nr. 43 të vitit 2020, kapiteni i mjetit lundrues, shtetasi D. J., 46 vjeç, lindur dhe banues në Kotorr, Mali i Zi, u ndëshkua me masë administrative 100.000 lekë të rinj, si dhe iu bllokua mjeti lundrues, për 5 ditë.

Në vijim të kontrolleve, në bazë të ligjit nr.127, datë 15.10.2021, neneve 14/b dhe 14/g, janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë të rinj secili, 3 kapitenë të mjeteve lundruese tip gomone, njëri prej tyre për mungesë dokumentacioni (në bord) dhe 2 për tejkalim të kapacitetit të personave të lejuar në bord.

Policia Kufitare do të vijojë kontrollet me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë për pushuesit, gjatë sezonit turistik, dhe fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie, në aplikacionin Komisariati Dixhital ose të telefonojnë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar anonimatin, reagim të shpejtë dhe profesional.

Jo vetëm në Dhërmi, por edhe në Velipojë policia kufitare bllokoi për një muaj mjetin lundrues (skaf), drejtuesit, i cili nuk pranoi t’i jepte dokumentacionin, punonjësve të Policisë.

Gjithashtu, u ndëshkua edhe me masë administrative 50.000 lekë të rinj, 42-vjeçari, pasi nuk respektoi zonën e kufizuar për lëvizjen e mjeteve lundruese, në plazhin e Velipojës.

Gjatë patrullimit në det, nga shërbimet e Policisë Kufitare është konstatuar mjeti lundrues (skaf), duke lëvizur në kundërshtim me rregullat, për zonën e kufizuar për mjetet lundruese. Në bazë të ligjit nr. 127/2020, neni 14/b, u ndëshkua me masë administrative 50.000 lekë të rinj, pronari i mjetit lundrues, shtetasi F. D., 42 vjeç, si dhe u bë bllokimi i mjetit lundrues, në Stacionin e Policisë Velipojë .

/Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!