Gjatë intervistës në emisionin “Ballkan Update”, ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shukrov ka folur dhe për situatën aktuale në Ukrainë, pas dy vitesh nën pushtimin rus.
“Sigurisht lufta është diçka shumë e rëndë, ajo që po ndodh në Ukrainë. Para luftës njerëzit nuk e besonin që do të ndodhte, por njerëzit janë duke jetuar në sfondin e luftës. Unë si diplomat e marrë me keqardhje që nuk po vendoset një bashkëpunim. Është shumë e trishtë që vendet paqësore shihen në këtë situatë. Ne po flasim që vetëm në 24 orët e fundit u dëmtuan mbi 200 objekte të rëndësishme, si pallate, spitale dhe shkolla banesa ku njerëzit vazhdojnë të jetojnë akoma. Dje kam parë në Facebook publikimin e një kolegu tim nga Serbia dhe kishte publikuar foton ku ishte prishur apartamenti i tij në Kiev. Është shumë e vështirë për mua që ta kuptoj, jo më që ta shpjegoj”.
Ai sakaq, është ndalur dhe te arsyeja pse Ukraina nuk e njeh Kosovën, duke u shprehur: “Ukraina e vlerëson ndihmën e Kosovës dhe ju e dini që Kosova ka dërguar disa ndihma humanitare. Ka dërguar dy makina në spitalin ushtarak tonë. Çështja e luftës është çështje politike dhe këto kanë marrë vëmendjen e njerëzve këto kohë, pasi ka të bëjë me tragjedi”.
I pyetur nga gazetarja Linda Karadaku, nëse do të përfundojë kjo situatë, ambasadori tha:
“Në qoftë se unë do të flas si diplomat, besoj do vij një etapë që kjo do të përfundojë. Duke folur për objektet e banimit, çdo gjë do të rindërtohet sërish. Por po të flasim për humbjet e jetëve, gjakderdhja duhet të ndalojë, por njerëzit nuk mund të rikthehen më në jetë. Nuk e di si një ditë mund t’ia shpjegojmë nënës humbjen e fëmijës së saj”./abcnews.al