Edhe bujqësia vuan për punonjës, 30 gra nga Nepali vijnë të punojnë në Lushnjë

schedule23:53 - 10 Shkurt, 2022

schedule 23:53 - 10 Shkurt, 2022

Mungesa e fuqisë punëtore të disponueshme po ndihet edhe në sektorin e bujqësisë.

Kompania “Doni Fruits”, që ka aktivitet në grumbullimin e fruta perimeve dhe ka në pronësi dhe sera, ka marrë një konvikt në afërsi të Lushnjës si ambiente banimi për 30 gra që pritet të vijnë shumë shpejt nga Nepali për të punuar në njësinë e grumbullimit bashkë me 35 gra shqiptare. Me gjithë përpjekjet, kompania “Doni Fruits” nuk mund ta përmbushë kërkesën me punonjës nga tregu vendas dhe ju drejtua agjencive që po sjellin këta punonjës nga jashtë.

Drejtori i eksporteve Alban Vinca tha se ka siguruar kontrata pune 2-vjeçare me 30 gra nga Nepali që pritet të vijnë shumë shpejt. “Kemi paguar biletat e avionit dhe do të sigurojmë ushqimin, fjetjen dhe paga 50-60 mijë lekë në muaj” tha zoti Vinca. Ai tha se ka leverdi, pasi pagat për gratë nga Nepali janë rreth 20 dollarë në muaj. Para se të lidhnin kontratat, kompania bëri përpjekje në Shqipëri dhe Kosovë për të gjetur punonjës, por nuk ia doli.

Por gjithsesi, punësimi i grave nepaleze mbetet një eksperiment, pasi përvojat e mëparshme kanë treguar se punonjësit nga vendet aziatike dhe afrikane, që vijnë me kontrata pune në Shqipëri, kanë qëllim të emigrojnë në Europë dhe ikin shumë shpejt nga Shqipëria.

Gratë nepaleze do të punojnë në njësinë e seleksionimit dhe paketimit dhe në sera, sipas nevojave dhe sezoneve të punës, shpjegoi Vinca.

Mungesa e punonjësve është një problem edhe për prodhuesit në sera. “Më keq do të vejë” – thotë fermeri Stavri Gjini. “Të rinjtë po largohen, fëmijë po lindin pak. Por edhe fëmijët që po rriten, nuk duan të punojnë në bujqësi. Të rinjtë nuk e pëlqejnë ta punojnë tokën. Ka pak fitime dhe shumë mundim, preferojnë të ikin jashtë”, thotë Gjini, i cili tashmë është i lodhur, pasi ka vite të tëra pune në bujqësi dhe shumë shpejt nuk do të ketë më fuqi të punojë.

“Këtë vit më është dashur të kërkoj për punonjës sezonalë në fshatra të largët, pasi po vështirësohet gjetja e punonjësve. Si mund të punojë një i ri 20 vjeç për një pagë 15-20 mijë lekë në muaj, që mund ta paguajmë edhe pa sigurime, kundrejt një pune kaq të lodhshme siç është bujqësia. Por ne fermerët, kaq mundësi kemi. Fitimet tona nuk garantojnë paga më të larta dhe as pagesën e sigurimeve, prandaj kanë të drejtë të ikin. Për tre muaj punë në kulmin e sezonit në Greqi, ata marrin të ardhurat e të gjithë vitit nga një punë që bëjnë në vendin e tyre”, shprehet Gjini.

Ai dhe fermerë të tjerë në zonën e Myzeqesë janë të shqetësuar se, mungesa e fuqisë punëtore, e cila nuk ka qenë problem deri vonë, do të kthehet në pengesën kryesore të zhvillimit të bujqësisë, përpos pengesave të tjera, siç është copëzimi i madh i tokës dhe mekanizimi i ulët.

Rënia e popullsisë me ritme të shpejta duket se do ta vërë ekonominë shqiptare para një sfide të re. Në gjashtë muajt e parë të vitit 2018, shtesa natyrore e popullsisë (diferenca mes lindjeve dhe vdekjeve) ishte vetëm 484 persona, sipas të dhënave që janë publikuar nga INSTAT, ose vetëm 80 persona në muaj./Monitor

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!