Sa e vështirë është të jepet dora e fundit? Arena Kombëtare do të jetë gati 99% këtë të diel në orën 19:00, kur të nisë provën e vëzhgimit të UEFA-s, por sigurisht, punimet përmbyllëse duken shumë të vështira.
Fusha po i nënshtrohet vijëzimit, që në kufijtë anësore, e deri te ndarjet brenda saj. Kjo gjë është lënë në momentet e fundit para ndeshjes së kontrollit, ajo mes Vllaznisë dhe Apolonisë femra.
Nuk ka asnjë diskutim për fushën, pasi ajo është e përfunduar dhe i ka të gjitha parametrat e duhura. Kaloi me sukses edhe reshjet e shiut që ka rënë ditët e fundit. Ulëset janë të vendosura në çdo skaj dhe janë mbuluar me qese, për t’i mbrojtur nga punimet dhe kushtet atmosferike.
Ndriçimi i lehtë dhe kamerat e sigurisë kanë kohë që janë vendosur. Fasada historike, edhe pse e mbyllur në 99%, ka rregullime sado të vogla.
Muzeumi që do të pasqyrojë të gjitha sukseset e futbollit shqiptar pritet të jetë gati 2-3 ditë para ndeshjes ndaj Francës. Sheshi para stadiumit pritet të mbetet i papërfunduar./ ABC NEWS ALBANIA 24/7