Eden Hazard është blerja më e shtrenjtë në historinë e Realit të Madridit. Gjithsesi, ende nuk dihet shuma e saktë që klubi spanjoll do të paguajë për talentin nga Belgjika.
Sa është shifra e vërtetë e këtij transferimi?
E sigurt është që Eden Hazard do të veshë fanellën e Realit sezonin e ardhshëm, në bazë të një kontrate 5-vjeçare. Klubi madrilen dha njoftimin zyrtar në faqet e tij në rrjetet sociale, duke i uruar mirëseardhjen yllit të madh të Belgjikës, e po ashtu vetë Hazardi iu drejtua me një letër lamtumire tifozëve të Çelsit, duke i falenderuar e duke deklaruar se vetëm Reali e detyroi të braktiste fanellën blu.
Kontradiktore është shifra që jepet për transferimin më të madh në historinë e Realit. Mediat britanike, në 6 Qershor, flisnin për 130 milionë paundë stërlina, që do të thotë mbi 147 milionë euro, një rekord i madrilenëve, duke lënë pas blerjet shumë të shtrenjta të Garet Bejlit dhe Kristiano Ronaldos.
Së fundmi, tabloidi “Deili Meil” ofroi rekordin e ri të “Santiago Bernabeut”, me 150 milionë paund stërlina, apo plot 170 milionë euro.
Cila është e vërteta?
Fillimisht, për Hazardin do të jepen 100 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër do të jetë në formë shpërblimesh të ndryshme, diçka që konsiderohet lehtësisht e arritshme për nivelin e Hazardit.
Transferimi i numrit 10 të Belgjikës do të jetë gjithsesi, blerja e tretë më e shtrenjtë e historisë, pasi rekordin e mban Nejmar për të cilin Paris SG i pagoi Barcelonës 222 milionë euro, ndërsa i dyti është Kilian Mbape, për të cilin Monakos iu dhanë 180 milionë euro, po nga Paris SG./ABC News Albania 24/7

