TIRANË– Drejtor i Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë, Erald Themeli i ftuar në “Money Report” në ABC News analizoi ecurinë ekonomike të vendit.
Ai u shpreh se në vlerësimet periodike që bën Banka e Shqipërisë, projeksionet janë që rritja ekonomike e vendit mund të arrijë në nivelin 4%.
Ai theksoi se shëndeti makro i ekonomisë shqiptarë është pozitiv dhe me tendencë forcimi.
“Banka e Shqipërisë bën vlerësime periodike të ecurisë së ekonomisë. Ne kemi dhënë një vlerësim pozitiv dhe pritet të rritet ekonomia në nivelin 3,5-4%. Niveli 4% është kahu i sipërm i pritjeve tona. Bilancet financiare dhe likuiditetit vlerësohet pozitive.
Bizneset janë në një fazë ekspansioni të kapaciteteve të tyre prodhuese. Kjo sinjalizon bizneset se duhet të zgjerojnë kapacitetet prodhuese. Nëse shikojmë eksportet shqiptare, ne presim kontribut pozitiv të turizmit në rritjen ekonomike të vendit. Situata e ekonomisë pozitive, bilancet janë të shëndetshme”, theksoi ai.
Më tej, kreu i politikës monetare të BSH-së tha se kreditimi ka njohur rritje të shpejtë në të gjithë sektorët, me përjashtim të bujqësisë, që sipas tij nuk është aty ku duhet të ishte.
“Kreditimi ka një rritje të shpejtë. Gjatë 2024, ne kemi vërejtur rritje kreditimi 16-17%. 2/3 e kredisë shkon për financimin e biznesit dhe ky trend vazhdon. Kredia për bizneset shqiptare po rritet me destinacioni kryesor zgjerimin e investimeve.
Një rritje për sektorin e industrisë, edhe ky sektor konstatohet se është në një fazë zgjerimi investimesh. Bujqësia ka një stanacion të kreditimit. Kreditë më probleme janë ulur në rreth 4 për qind”, tha ai.
Ndërkohë, Banka Qendrore ka vendosur të kufizojë kreditë për banesa duke vendosur tavan për vlerën dhe kohën e shlyerjes së tyre. Por pse u ndërmor një vendim i tillë?
Për këtë, Themeli theksoi se kjo masë është ndërmarrë për të ruajtur nivelin e riskut në të ardhmen, në sektorin e kredisë.
“BSH nuk kufizon në mënyrë të drejtpërdrejtë kreditë për banesa. BSH ka miratuar disa kufij, që bankat janë të detyruara t’i zbatojnë në procesin e kredidhënies.
Është një fenomen i menaxhimit të riskut në bilancet e sektorit bankar. Është marrë në momentin e duhur kur ka një rritje kreditimi”, pohoi ai./abcnews.al