Leipzig arriti sezonin e kaluar për herë të parë në histori në gjysmëfinalet e Champions League. Ekipi gjerman do të tentojë të përsërisë të njëjtën gjë dhe duhet të eliminojë Liverpool për t’u kualifikuar në çerekfinale.
Një mision shumë i vështirë, teksa nesër në mbrëmje luhet sfida e parë përballë djemve të Jurgen Klopp. Trajneri i Leipzig, Julian Nagelsmann nuk e ka pritur mirë faktin që Bayern Munchen bëri zyrtar blerjen e Dayot Upamecanos ditën e premte.
Kampionët e Gjermanisë paguan klauzolën prej 42.5 milion eurosh për mbrojtësin potent nga Franca, i cili do të bëhet bavarez sezonin e ardhshëm. Diçka e tillë ndodhi 20 minuta përpara sfidës ndaj Augsburg, që djemtë e Nagelsmann e fituan 2-1.
“Unë dhe skuadra ishim të përqendruar te ndeshja dhe nuk i dhamë rëndësi lajmit që erdhi vetëm 20 minuta përpara se të fillonte takimi. Upamecano ka një klauzolë largimi dhe ai vendos rreth së ardhmes.
Për gjërat e tjera pyesni ata që menduan se ishte një ide e mirë për të zyrtarizuar blerjen e tij 20 minuta përpara se të fillonte një ndeshje Bundesligë. Unë e kisha mendjen vetëm tek Augsburg“, deklaroi trajneri i Leipzig. /abcnews.al