Pas gjashtë ditësh kërkimesh intensive, është gjetur trupi i pajetë i 29-vjeçarit Ardit Beshiri, i cili humbi jetën tragjikisht teksa punonte me fadromë në një fabrikë përpunimi të kromit në zonën e Qafë-Burrelit, në Klos.
29-vjeçari ishte zhdukur më 3 maj, pasi një masiv dheu dhe kromi u shemb mbi mjetin që ai drejtonte.
Pamundësia për të ndërhyrë në kohë, për shkak të terrenit, e bëri kërkimin shumë të vështirë.
Në operacionin e kërkimit u përfshinë edhe Forcat e Sigurisë së Kosovës, të cilat ndihmuan në gjetjen e trupit të të riut. Në lidhje me ngjarjen, policia ka arrestuar 44-vjeçarin Admir Lala, drejtues teknik i firmës, i akuzuar për shkelje të rregullave të sigurisë në punë.
Ardit Beshiri punonte prej disa muajsh në fabrikën e përpunimit të kromit në Qafë Burrel, e cila shfrytëzohet nga një kompani kineze.
Prokuroria ka nisur hetimet për të zbardhur përgjegjësitë konkrete për ngjarjen tragjike.
/ abcnews.al