Një opozitë që premton vetëm izolim nga bota, e zhytur në borxhin e rublave.” Kështu i ka përshkruar kryeministri Edi Rama kundërshtarët e tij politikë në një dalje për mediat pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë në selinë rozë.
Rama tha se në këtë “epokë kërcënimi të madh” do ishte mirë që vendi të kishte një opozitë që siç u shpreh ai, “të rrinte mirë në këtë kontekst.
Megjithatë, ashtu siç është shprehur edhe herë të tjera, Rama tha se ajo çfarë dimë deri më tani “nuk është e gjitha ajo që duhet ditur.”
“Në këtë epokë kërcënimi të madh, kur Shqipëria nuk bën përjashtim nga kërcënimi, kur na duhet të përballemi me pasojat që është e re dhe vjen te ne siç erdhi tërmeti, pandemia, duhet të jemi të qartë, të vendosur, të bashkuar, të lidhur me partnerë të fuqishëm. Do ishte mirë të kishim një opozitë që të rrinte mirë në këtë kontekst, por kemi një opozitë që premton vetëm izolim nga bota dhe nga ana tjetër është e zhytur në buxhetin e rublave. Është fatkeqësi, edhe veprimtaria, edhe mënyra se si vepron në mënyrë të përditshme mbajnë erë. Ajo çka dimë nuk është e gjitha ajo që duhet ditur”, tha Rama. /abcnews.al/