Endri Çekiçi, mesfushori i avancuar i Olimpija Ljubjana, po bën një sezon të mirë në Slloveni. Tetë gola dhe shtatë asiste në kampion, ndërkohë që vijon të stërvitet fort edhe në këtë periudhë. “Vazhdojmë stërvitjen, nuk pushojmë dot. Mund të nisë kampionati në çdo moment dhe duhet të jemi gati”, tregon pogradecari në emisionin “Fan Zone” në Supersport.
Çekiçi më tej pranon se ky është sezoni më i mirë për të, si dhe flet edhe në lidhje me zërat që e lidhin me Arsenalin. “Deri më tani mendoj se është sezoni më i mirë personal. Jo vetëm prej statistikave, por edhe për mënyrën se si ndihem në fushë. Kjo vjen për shkak të minutave që po marr”.
“Arsenali? Momentalisht janë vetëm zëra. Kam folur edhe me menaxherin. Nuk mund të them diçka më tepër. Ndoshta jam më pak i informuar se ju. Do shpresoja edhe unë të bëhet realitet, më besoni (qesh). Tani jam i fokusuar tek ekipi aktual dhe dua ta mbyll sa më mirë. Me shumë mundësi do të kem një ndryshim klubi. Do mundohem të bëj zgjedhjen e duhur. Shpresoj që të grumbullohem edhe me kombëtaren sa më shpejt.
“Titulli kampion? Jemi të shkëputur me pesë pikë nga Maribori, por janë edhe 11 javë kampionat. Jemi shumë pranë titullit. Me pak fat besoj se do të jemi kampionët e Sllovenisë”, u shpreh Çekiçi, i cili më parë ka luajtur me Pogradecin, Teutën, Dinamo Zagreb dhe Lokomotiva Zagreb. / abcnews.al