Shumëkush i konsideron turqit vëllezër, por nesër për 90 minuta çdo shqiptar do të dojë të triumfojnë kuqezinjtë e drejtuar nga Edoardo Reja. Një arsye më shumë që duhet të nxitë futbollistët është edhe sjellja e Federatës Turke të Futbollit.
Gjatë kësaj periudhe ka pasur shumë problematika, që lidhen me numrin e biletave dhe mënyrën e shitjes. Federata turke i ka sjellë biletat me vonesë në Shqipëri, ndërkohë që u është hequr mundësia shqiptarëve t’i blejnë ato online. Kjo ka sjellë probleme, pasi shqiptarët që nuk ndodhen brenda Republikës së Shqipërisë duhet të gjenin mënyra të ndryshme për t’u pajisur me bileta.
Një tjetër problem ka të bëjë me numrin e biletave. Shqiptarëve u takojnë 2500 bileta, kurse federata turke është munduar të vërë në dispozicion vetëm 500. Normalisht kjo nuk është pranuar dhe është dashur ndërhyrja e UEFA-s që të plotësohet kërkesa e FSHF-së.
Problemi tjetër që ka lindur sot ka të bëjë me futjen e materialeve tifozerike në stadium. Deri më tani lejohet vetëm tupani dhe po tentohet ndalimi i shajeve me flamurin shqiptar. Sigurisht përfaqësuesi i FSHF-së do t’i raportojë të gjitha këto problematika te delegati i ndeshjes në takimin zyrtar që zhvillohet nesër para ndeshjes. Sikurse kuptohet, beteja nis që në mëngjes. /abcnews.al