“E turpshme që sulmohemi, arbitri u kërcënua”, Dinamo nuk duron më!

schedule22:20 - 27 Qershor, 2020

schedule 22:20 - 27 Qershor, 2020

Dinamo barazoi në shtëpi me Tërbunin dhe rrezikon rënien në Kategorinë e Dytë. Ky barazim ka djegur shumë, ndërkohë që blutë e kryeqytetit kanë dalë me një reagim dhe dënojnë ashpër arbitrimin që u bë në përballjen me pukjanët.

“Në emër të FK Dinamo dhe në cilësinë e zyrtarit të klubit, e dënojmë me ashpërsi sjelljen tendencioze dhe aspak profesionale të një arbitri në ndeshjen e sotme! Me turpin më të madh dhe si një ish-arbitër e dënoj me ashpërsi këtë maskarade!

Gjatë javës u fol se klubi Blu po ushtronte presion karshi Federatës për arbitrat, akuza të pabaza nga ekipi kundërshtar dhe nga segmente te tjera që mesa duket veprojnë me moton “hidh gurin e fshih dorën”, sepse në fushë u pa krejt e kundërta! Nga kartonët e faullat, arbitër që goditet e kërcënohet nga lojtarët, e turpshme, në mes të Tiranes.

Kartonët me kursim ndaj ndërhyrjeve të rënda dhe deri tek dënimi qesharak i Kolgegës me karton të kuq. Nuk është hera e parë që Dinamo dënohet nga gjykimi, mos harrojmë që ndeshjen e kaluar me Velecikun, u dënuan me kartona dy lojtarët kryesorë, kapiteni Boçi si dhe sulmuesi kryesor Pontrelli.

Kartonët, dua të theksoj jo për ndërhyrje ose faulla teknik! Nuk është hera e parë që Dinamo dënohet nga gjykimi, ama në këtë fazë delikate të kampionatit, është e turpshme të sulmohemi në këtë menyrë!

Ne i qendrojmë besnikë lojës së bukur e të ndershme në fushë, si dhe kërkojmë më tepër respekt për këtë fanellë legjendare qe ka bërë histori në futbollin Shqiptar.

Planet dhe investimet në të ardhmen e afërt nuk mund të shkojnë dëm nga njerëz të papërgjegjshëm, njerëz që po mundohen ta kthejnë futbollin vite pas, pa Fair Play dhe mes aleancash.

FK Dinamo, 18 herë kampione e vendit, e shquar historikisht për Fair Play, kërkon nga instancat përkatëse një reagim të fortë për atë çka ndodh në mes të ditës me diell! Ermal Barushi, administrator i FK Dinamo”, shkruan klubi dinamovit. / abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!