Tirana nuk do të ketë sezonin e ardhshëm sulmuesin Michael Ngo, autor i 13 golave dhe shumë asistove sezonin e fundit në Superiore. Anglezi u largua me medaljen e titullit kampion dhe ende nuk ka nënshkruar në ndonjë klub tjetër. Në emisionin “Pressing” në ABC News u diskutua mbrëmë mbi boshllëkun që ka lënë sulmuesi te Tirana dhe një mendim e dha edhe trajneri Shpëtim Duro.
“Tirana ishte mësuar me atë lojë me Ngoo. Përpos pjesës së karakterit, që nuk e di çfarë karakteri ka për shkak se nuk e kam stërvitur, për mënyrën e lojës ishte i rrezikshëm, finalizonte. Them se ka lënë boshllëk. Duhej zëvendësuar me një lojtar me cilësitë e tij. Muçi është shumë i mirë, e kam parë që vjet dhe në 10 minuta që luan del tre herë para portës. Këtë e ka të lindur. Ai është më i rrezikshëm kur luan pas sulmuesit”, shprehet Duro fillimisht.
Tekniku më pas jep edhe një shembull konkret se si Ngoo e ndihmonte Tiranën: “E kam pasur Tiranën kundërshtare. Mbaj mend ndeshjen e fundit që na mundën, ishte ndeshje kryesore dhe e përmbysi. Nëse nuk fitonte, nuk merrte kampionat. Bravo u qoftë. Normal që nuk e harroj, pasi aty luhej kampionati.
Gjashtë muaj në ëndërr e shoh. Ngoo nuk luante titullar, pasi ishte i sëmurë. Luajti Muçi dhe nuk është se bëri gjë. Kur luajti Ngoo e tërhoqi skuadrën dhe i dha ritëm tjetër. Nuk duhen mohuar vlerat e tij në këto dy vite, por jam dakord që nuk ka të pazëvendësueshëm”.
Më pas Duro flet edhe për shanset që Kukësi ka për titullin kampion. “Kukësi nuk fiton titull pa tifozë, po luajti sërish jashtë. Kam luajtur në Lushnjë, Shkodër, Elbasan si pritës. Albani më ngacmon për atë ndeshjen që humba me Tiranën. Luanim si pritës dhe në ‘Air Albania’ ishin 70 për qind të stadiumit. Ishte humbja e parë pas 15 vitesh me Tiranën. Më dogji. Nuk pamë klasifikimi”, përfundoi trajneri. /abcnews.al