SHKODËR- Një fëmijë 3-vjeçar ka ndërruar jetë dy ditë më parë në spitalin e Shkodrës, ndërsa e motra ndodhet në gjendje të rëndë për jetën në repartin e Pediatrisë në QSUT.
Tre ditë më parë, rreth orës 9, fëmija 3 vjeç i çiftit Hasmegaj nga Mjeda e Vaut të Dejës ka mbërritur në spitalin e Shkodrës me simptoma të rënda me kollë dhe të vjella.
Me të njëjtat simptoma u paraqit edhe e motra 7-vjeçare e viktimës.
Në një njoftim zyrtar, Policia e Shkodrës thotë se dy fëmijët janë dërguar në spitalin e Shkodrës me simptoma të dyshuara nga virozat e stinës dhe pasi kanë marrë mjekimin, fëmijët janë larguar në banesë.
Një ditë më pas, gjendja e tyre u përkeqësua sërish. Samed Hasmegaj, babai i dy fëmijëve i ka dërguar në spital, por pavarësisht ndihmës mjekësore, 3-vjeçari humbi jetën ndërsa 7-vjeçarja është dërguar në QSUT.
Burime nga spitali pohojnë për Abc News se motër e vëlla janë helmuar pasi kanë konsumuar një preparat të dëmshëm, megjithëse priten rezultatet e të gjitha analizave toksikologjike për të konfirmuar shkakun e vërtetë.
Sipas informacioneve paraprake, edhe gjendja shëndetësore e 7-vjeçares është tejet e rëndë.
E ëma e të miturve e cila është në pritje të fëmijës së tretë, pas tragjedisë ka pësuar shok të rëndë dhe është shtruar në maternitetin e kryeqytetit./abcnews.al