E rëndë në SHBA, 2-vjeçari humb jetën në çerdhe nga fentanil 

schedule10:01 - 20 Shtator, 2023

schedule 10:01 - 20 Shtator, 2023

Një kilogram fentanil është gjetur nën një dyshek në dhomën e gjumit, në një çerdhe të New York, ku një fëmijë vdiq dhe tre të tjerë u dërguan në spital.

Nicholas Dominici, i cili kishte qenë në çerdhe për vetëm një javë, vdiq nga një mbidozë e dyshuar droge të premten. Tre fëmijë të tjerë u shtruan në spital, pasi u ekspozuan ndaj lëndës narkotike në çerdhen në Bronx.

Ndaj dy personave janë ngritur akuza për posedim droge dhe vrasje. Policia beson se fëmijët, të moshës nga tetë muaj deri në dy vjeç, morën fentanil në çerdhe.

“Gjatë një kontroll në çerdhe u gjet një kilogram fentanil nën tapetin e dhomës, ku fëmijët flinin”, tha shefi i detektivit të NYPD, Joseph Kenny.

Pronarja e çerdhes Divino Niño në Bronx, Grei Mendez, 36 vjeç, dhe qiramarrësi i saj, Carlisto Acevedo Brito, 41 vjeç, po përballen me akuza federale për posedim lëndësh narkotike “me qëllim shpërndarjen që rezulton në vdekje, sipas prokurorëve federalë.

“Ne pretendojmë se të pandehurit helmuan katër foshnja dhe vranë një prej tyre, sepse ata po drejtonin një operacion droge nga një qendër çerdheje. Çerdhja është një vend ku fëmijët duhet të mbahen të sigurt, jo të rrethuar nga një drogë që mund t’i vrasë ata”, tha prokurori amerikan i Manhattan, Damien Ëilliams.

Sipas policisë droga e gjetur nga çerdhja mund të kishte vrarë 500,000 njerëz. Fentanili, një qetësues sintetik 50 herë më i fuqishëm se heroina, është fajësuar për rritjen e vdekjeve nga droga në SHBA.

Pamjet e kamerave të sigurisë dhe të dhënat telefonike tregojnë se zonja Mendez e thirri burrin e saj pasi i gjeti fëmijët të sëmurë, para se të kontaktonte urgjencën. Më pas burri i saj mbërriti dhe hoqi disa çanta të plota pazari nga çerdhja, thanë zyrtarët. Autoritetet janë ende në kërkim të bashkëshortit të saj, i cili në dokumentet e gjykatës është identifikuar si bashkëpunëtor.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!