Ngjarje e rëndë në orët e fundit të së dielës në Malishevë ka tronditur vendin.
Jetlira Foniqi 25 vjeç shtatzënë humbi jetën ndërsa bashkëshorti i saj Egzon Bytyqi 26 vjeç mbeti i plagosur pas të shtënave me armë zjarri në dhomë ne tyre të gjumit në fshatin Kërvasi.
Sipas autoriteteve në Kosovë, efektivët mbërritën menjëherë në vendngjarje ku gjetën çiftin e bashkëshortëve të plagosur.
Të dy u dërguan fillimisht për ndihmë mjekësore dhe më pas në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Rreth orës 01:10, Policia u njoftua nga spitali se gruaja kishte ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.
Ndërkohë, bashkëshorti i saj po merr trajtim mjekësor, i intubuar.
Policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur gjatë ngjarjes, ndërsa mediat në kosovë shkruajnë se arma e gjetur i përket babait të 26 vjecarit.
Në vendngjarje ka mbërritur edhe prokurori i shtetit, i cili ka urdhëruar nisjen e procedurave për veprën penale “Vrasje e rëndë”.
Autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar rrethanat e sakta të ngjarjes, dinamikën e të shtënave dhe motivin.
Deri në këtë fazë, nuk janë bërë publike të dhëna të tjera që do të mund të qartësonin se si ka ndodhur ngjarja brenda banesës. /abcnews.al

