“E qan rolin e fantazistit”, ju prezantojmë me kapiten Muçin

schedule11:48 - 15 Tetor, 2019

schedule 11:48 - 15 Tetor, 2019

Ernest Muçi është vetëm 18 vjeç, por ka provuar prej tre vitesh futbollin profesionist. Braziliani Ze Maria e pikasi te paratërinjtë dhe i riu udhëtoi me bardheblutë në Turqi. Nga atëherë shumë gjëra kanë ndryshuar, teksa Muçi ka provuar shijen e golit edhe ne Superiore. Dita-ditës po rritet dhe tashmë te Shqipëria U19 i kanë besuar shiritin e kapitenit.

“Jam shumë mirënjohës ndaj trajnerit që më ka besuar shiritin e kapitenit. Jam shumë i lumtur që mund të jem drejtuesi i këtyre çunave të mrekullueshëm në fushë. Është një ekip super i mirë dhe jemi gati për ndeshjet kualifikuese, që zhvillohen muajin tjetër”, tha për ABC News një ditë më parë Muçi, teksa sapo kishte përfunduar ndeshja miqësore me Poloninë.

Muçi gjatë deklaratës së dhënë pas ndeshjes Shqipëri-Poloni për 19-vjeçarë

Shqipëria U19 triumfoi dhe numri “10” i kuqezinjve shënoi dy herë. A janë ato gola një sinjal për të bërë një tjetër hap dhe për të luajtur me Shpresat? Muçi thotë që “po”, por nga ana tjetër nuk dëshiron të shpërqendrohet  “Golat, një sinjal për Bushin? Sinjalet kanë qenë të shumta, por jam shumë i fokusuar këtu dhe te Tirana. Shpresoj të bëj mirë edhe muajin tjetër”, u shpreh 18-vjeçari.

Në muajin nëntor Shqipëria U19 fluturon drejt Belgjikës për të zhvilluar kualifikueset. Vendasit, Greqia dhe Islanda janë rivalët. Muçi beson se mund të marrin rezultate pozitive, por sigurisht në futboll duhet edhe pak fat.

“Kjo kombëtare premton shumë, siç e kemi treguar edhe ne ndeshjet e mëparshme. Kemi rreth 7 grumbullime, kemi bërë miqësore dhe i kemi dominuar kundërshtarët. Jemi shumë mirë dhe shpresojmë të marrim rezultate. Urojmë të na ndihmojë edhe Zoti, të kemi pak fat”, tha futbollisti i Tiranës.

Muçi dhe Bozhanaj, i cili dha asistin, festojnë golin e parë ndaj Polonisë

POZICIONI – Tani Muçin po e shohim në një pozicion ndryshe, si fantazist. ME bardheblutë luan si sulmues më së shumti: “Te Tirana është ndryshe, por këtu kam folur edhe me trajnerin dhe kemi rënë dakord që pozicioni im më i mirë është si numër ’10’. Ai është pozicioni im real dhe ndihem më mirë atyre.

Gjithsesi për mua ka rëndësi të jem në fushë. Te Tirana profesori më ka futur edhe sulmues qendre, edhe në krah, por edhe si ‘10’-sh. Rëndësi ka të luaj, nuk e kam problem. Kjo është në dorën e trajnerit”. Në lidhje me pozicionin e Muçit në fushë ka folur edhe trajneri Nevil Dede.

“E kam aktivizuar në atë pozicion në ndeshjen e dytë tonën, jo ne të parën. Luanim në Maqedoni, u mundëm 2-1 dhe nuk ishte mirë me shëndet atë ndeshje. Që nga ajo sfidë unë jam bindur që aty është pozicioni i tij ideal. Është një lojtar që ka shumë cilësi dhe zonat si sulmues i dytë apo si fantazist ‘i qan’. Ka shënuar shumë gola me mua, por ka edhe lojtarë të tjerë të talentuar. Muçi është kapiteni i ekipit tonë”, u shpreh Dede dje pas ndeshjes me Poloninë.

Muçi, gjatë një ndeshjeje me Tiranën

TIRANA – Në stadium një ditë më parë ishte trajneri Ardian Mema, të cilin edhe e ngacmuam për golat e Muçit. “Profesor, mos u habit nesër kur të lexosh: ‘Muçi, mesazh Memës me dy gola’”. Tekniku i Tiranës buzëqeshi, ndërkohë i riu në fakt pret minuta. Këtë sezon në kampionat ka luajtur vetëm 4 ndeshje, si zëvendësues.

“Rëndësi ka fitorja, por edhe unë dua ato minutat e mia. Shpresoj që me këto ndeshje të jap edhe unë sinjalet e mia. Mema më pa në stadium? (Qesh) Nuk di ça të them… Minutat janë të rëndësishme për t’u shprehur, por nuk duhet harruar se te Tirana ka shumë presion. Është klubi më i madh në Shqipëri. Këtu jam më i lirshëm. Edhe atje do nis të jem më i lirshëm”, u shpreh Muçi, i cili mundohej në çdo moment të tregohej i matur. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!