Të gjithë tifozët po presin me padurim vendimin që do të marrë Leo Messi: do të vijojë të qëndrojë te Barcelona apo do të largohet për të provuar një aventurë të re. Javier Mascherano, shoku i qindra betejave te katalanasit dhe kombëtarja e Argjentinës, ka folur rreth “pleshtit” në prononcimin e dhënë për Mundo Deportivo.
“Nuk ia kam idenë se çfarë do të bëjë Messi në fund të sezonit. Mund të them se si mik i tij, unë nuk do të guxoja kurrë t’i jepja një këshillë. Vendimin duhet ta marrë ai dhe familja e tij. Vetëm Leos i takon të vendosë për të ardhmen e ti. Di të them vetëm kaq: ka 15 vite që e shoh duke bërë të njëjta gjëra.
E vërtetë, paraqitjet me Barcelonën nuk janë më të mirat, por Leo jep gjithmonë maksimumin. Më ka marrë malli të luaj me të, nuk më vjen turp ta pranoj. Vuaj prej faktit që nuk jam në gjendje të zbres në fushën e blertë me Leon.
Barcelona është një klub i veçantë me një filozofi dhe stil shumë të fortë. Nuk është e thjeshtë të gjesh një tjetër klub me një filozofi kaq të qartë dhe të rrënjosur si Barcelona. Është e vështirë të përshtatesh në vende të tjera“, deklaron Mascherano. /abcnews.al