Numri 10 i Alex Del Piero nuk u hoq nga qarkullimi dhe tanimë atë e mban Paolo Dybala. Sulmuesi italian, një ditë më parë madje ka pasur një bisedë me argjentinasin, “live” në Instagram. Shumë tema diskutimi mes dy lojtarëve që tifozët e Juventusit i adhurojnë.
Dybala zbulon edhe çfarë i kishte ndodhur vite më parë, kur kishte dështuar të blinte në ankand një fanellë të Del Piero të sezonit 2010/11. Në fund e humbi për vetëm 10 euro. “I thashë vetes se duhet ta kisha atë fanellë.
Hyra në webin ku shitej fanella me llogarinë e të dashurës time, kështu që njerëzit nuk e dinin se isha unë. Nuk e mbaj mend shumën, por e ofrova një të tillë për fanellën. Aty nuk tregohej cila ishte shifra më e lartë. E vendosa dhe shifra ime ishte më e larta.
Kishin mbetur edhe tre ditë. Prita e prita. Nëse dikush vendoste një ofertë më të lartë, të vinte një email. Kishin mbetur edhe pesë orë dhe unë po prisja. Isha gati të festoja, por në sekondën e fundit hyri një përdorues tjetër dhe unë e humba bluzën për 10 euro.
Kur doja të bëja kundër-ofertën, nuk kisha më kohë. U zemërova shumë. Ishte diçka e jashtëzakonshme”, i tregoi Dybala ish-sulmuesit të Juventus, Alex Del Piero, i cili tani po jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe fluturon shpesh drejt Italisë. /abcnews.al