TIRANË- Të gjithë sytë nga presidenca. Për më shumë se 50 minuta, e ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nancy Van Horn, zhvilloi një takim me presidentin Bajram Begaj. Si presidenca ashtu edhe ambasada amerikane kanë qenë të rezervuar për të ndarë detaje nga biseda ndërsa takimi vjen një ditë pasi qeveria kërkoi zgjedhje për 6 bashkitë e mbetura pa kryetar.
Kreu i shtetit ka afat deri të enjten për të shpallur datën e zgjedhjeve në bashkitë e Tiranës, Vlorës, Beratit, Tepelenës, Cërrikut dhe Matit. Ligji parashikon se zgjedhjet e pjesshme mbahen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga data e njoftimit, që në këtë rast është 30 shtatori. Çka nënkupton që datat e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve në këto 6 bashki janë të dielat e para të nëntorit, 2 ose 9 nëntor.
Por ndërsa presidenti po shfrytëzon të gjithë kohën që i ka vënë në dispozicion ligji, socialistët nuk kanë kohë për të humbur.
Kandidatja për Bashkinë e Tiranës, Ogerta Manastirliu, ka nisur takimet me qytetarët. Ajo ka ndarë momente nga një bisedë me të moshuarit, duke shpalosur edhe prioritetet për këtë kategori.
“Mbështetja për moshën e tretë është dhe mbetet një prioritet i yni: për më shumë shërbime shëndetësore cilësore, programe sociale që i mbajnë aktivë dhe të përfshirë në komunitet për ta bërë jetën e tyre të përditshme më të mirë”, tha Manastirliu.
Që pas arrestimit të Erjon Veliajt në shkurt, Tirana po drejtohet me kryetar të komanduar ndërsa bashkitë e Matit, Tepelenës dhe Beratit do të shkojnë zgjedhje pasi kryetaret e tyre morën mandatin e deputetit. Vlora mbeti pa kryetar pas dorëheqjes së Ermal Dredhës, ndërsa Cerriku pasi Andis Salla u emërua ministër i Bujqësisë.



