Gazetari i ABC, Artan Hoxha ka siguruar pjesë nga dosja hetimore ku është zbuluar autori i vrasjes së biznesmenit Ilir Rexhepi, i ekzekutuar në 30 dhjetor të vitit 2011. 10 vite më pas, prokuroria ka zbuluar autorin dhe ka zbardhur kush e porositi ekzekutimin mafioz në Elbasan të 40-vjeçarit pronar i një kompanie policie private lagjen “Vullnetari”.
Prokuroria ka arritur në përfundimin se vrasësi është Geni (Mihal) Toshi, ndërsa bashkëpunëtor i tij Anastas Collaku. Artan Hoxha ka siguruar foton e Toshit. Në vitin 2009 vëllai i viktimës, Roland Rexhepi, i njohur si “Doda” ish-agjent i antidrogës, i cili njihej si krahu i djathtë i ish-komisar Koseni, u ekzekutua me armë zjarri në prag të shtëpisë së tij.
Por si ndodhi vrasja?
Në dosjen e siguruar nga Artan Hoxha, hetuesit theksojnë se Toshi ishte personi që e vrau biznesmenin, ndërsa Collaku shofer në drejtimin e makinës, ngjyrë të bardhë të marrë me qira. Gjatë ekzekutimit, Toshi u plagos në mjekër, por arriti që të largohet me shpejtësi.
Geni (Mihal) Toshi
Megjithatë gjurmën e la pas, pasi hetuesit arritën që të zbulojnë përmes ADN-së, e i përkiste pikërisht atij gjaku që u gjet në vendin e ngjarjes. Pas plagosjes me ndihmën e Collakut, Toshi fillimisht ndaloi në Peqin ku mori ndihmën e parë më pas iku në Roskovec për të qëndruar disa ditë te Ilir Shabani dhe më pas drejt Korçës.
Kush e porositi?
Vrasjen e Ilir Rexhepit sipas hetimeve rezulton se e ka porositur një grup i njohur kriminal në qytetin e Elbasanit. Grupi kriminal fillimisht ofroi 50 mijë euro, më pas edhe 30 mijë të tjera pas krimit për autorin e vrasjes dhe bashkëpunëtorin e tij. “Vrasësit janë paguar 50 mijë euro nga (….) që u tregua bujar dhe si shpërblim dha edhe 30 mijë euro shtesë, dmth 80 mijë euro, plus ndihmë për vëllanë e Geni Toshit, Damiano Toshi i dënuar me burgim përjetë dhe gjyqin e transferuar në Elbasan për arsye se familja (që porositi vrasjen e Rexhepit) kishte ndikim të fortë te prokuroria dhe gjykata e Elbasanit” thuhet në dosje.
Si u prishën?
Pak kohë pas vrasjes dhe shpërblimit që mori, Toshi i kërkoi grupit kriminal që pagoi për ekzekutimin e Rexhepit 50 mijë euro. “Shumën Toshi e kërkoi përmes B.., por grupi kriminal nuk pranoi që t’ia jepte dhe për këtë arsye u prishën. Toshi kërkon takim me kreun e grupit kriminal, por ky i fundit e drejton te B…, takimi u në në Selanik.
Toshi kërcënoi se do të bashkëpunonte me drejtësinë nëse grupi kriminal nuk i jepte 1 milion euro” thuhet në dosje. Por cila ishte përgjigja e grupit kriminal? “Ne do të paguajmë 2 milionë euro në prokurori dhe gjykatë për ta mbyllur këtë problem dhe ty do të vrasim të gjithë familjen. Geni Toshi e ka filmuar këtë takim me një kamer trupi, të cilën e zotëron” thuhet më tej.
Lidhja e grupit kriminal me ekzekutorët?
Gjithcka nisi në vitin 2006, kur dy prej anëtarëve të grupit kriminal në Elbasan njihen me vrasësit e basketbollistëve në Korçë në qeli, Gjergji Bregu, Damiano Toshi dhe Vasi Strati. Përmes tyre u bë më pas lidhja me Anastas Collakun dhe Geni (Mihal) Toshin, që është vëllai i Damiano Toshit.
Roli i Anastas Collakut
Në dosjen e prokurorisë theksohet se “Anastas Collaku ka qenë gjithmonë ndërmjetës i grupit kriminal, pra familjes në Elbasan dhe organizator i disa vrasjeve dhe atentateve për llogari të tyre”. Vetë Collaku ka organizuar dhe ka marrë pjesë në vrasjen e Rexhepit, por jo vetëm kaq. “Anastas Collaku ka organizuar dhe ka marrë pjesë në vitin 2009 në Torino në atentatin ku mbeti i plagosur ish-efektivi i policisë Fadil Mema.
Në këtë rast Anastasi atentator mori kushëririn e tij Xhonin. Në 2015 sërish Collaku organizon vrasjen e Fadil Memës në Torino, ku mori pjesë si atentator një gjermano-grek, Dimitri Pavlidis me bashkëpunëtor Anastas Collaku dhe Sajmir Serjanin, i cili ka ndihmuar në informacione dhe ka djegur makinën e përdorur në vrasje në zonën e Astit në Itali. Më pas Dimitris Pavlidis dhe Anastas Collaku ikën në Gjermani” thuhet në dosjen hetimor.
db/Abcnews.al