Një 16 vjeçare është kthyer në problem për familjen dhe policinë e Bulqizës gjatë muajve të fundit pasi largohet natën duke ikur “në drejtim të paditur” sipas prindërve.
Burime nga policia e Bulqizës bëjnë me dije se e mitura me inicialet P.Sh është kthyer në një personazh problematik për ta pasi të paktën gjashtë herë babai ka shkuar për të denoncuar humbjen e vajzës.
Pasi policia fillon kërkimet ajo kthehet në shtëpi duke e kthyer këtë në një veprim të zakonshëm.
E mitura është përjashtuar edhe nga shkolla për shkak të numrit të lartë të mungesave, ndërsa prindërit i tremben faktit se vajza mund të shfrytëzohet apo trafikohet nga persona të tjerë.
“Ne, janë shprehur prindërit në Polici, e trajtojmë vajzën mjaft mirë, ashtu siç trajtojmë gjashtë fëmijët e tjerë. Por ajo largohet nga shtëpia tinëz, kryesisht natën. Nuk dimë ku vete, me kë rri, çfarë bën, ku ushqehet. Kemi frikë se po e trafikojnë apo e shfrytëzojnë për prostitucion. Disa ditë më parë është ndalur në doganën e Morinit, teksa udhëtonte drejt Kosovës. Nuk na thanë me kë po udhëtonte dhe pse tentoi të largohej nga Dibra”., shprehen ata në polici.
Gjatë shoqërimeve të saj në Polici, 16-vjeçarja është shprehur: “Unë largohem nga shtëpia sepse prindërit nuk më lejojnë të dal me shoqet e shokët. Nuk mund të rri e mbyllur në shtëpi. Kur largohem zakonisht qëndroj te shoqet e mia në Bulqizë, Peshkopi e Tiranë”.
Nga ana tjetër prindërit kanë deklaruar në polici se vajzën e trajtojnë mirë, ashtu si edhe fëmijët e tjerë duke mos bërë asnjë dallim. /abcnews.al