Flamurtari u mposht në Ballsh nga Bylisi me rezultatin 5-0 dhe normalisht në Vlorë janë tërësisht të zhgënjyer. Ka edhe nga ata që janë “tërbuar” dhe paralajmërojnë lojtarët për ndeshjen e radhës me Tiranën. Në shënjestër është edhe trajneri Dritan Sadedini, të cilit i bëhet thirrje të japë dorëheqjen. Çuditërisht asnjë fjalë për administratorin Sinan Idrizi, i cili është i pari i punës në gjithçka ndodh në klubin vlonjat.
“Përshëndetje të dashur sportdashës të Vlorës. Me këtë reagim do prekim çdo njeri që ka të bëjë me ekipin për situatën aktuale që është. Këta futbollistë plazhi që kanë ardhur në Vlorë dhe kanë veshur fanellën e Flamurtarit, a e dinë ndoshta ku kanë ardhur dhe për çfarë kanë ardhur? A e dinë se kë fanellë po përfaqësojnë? Ai trajneri që veç trajner nuk është, a e di se kë po drejton?
Lojtarë, trajner e drejtorë, që s’dini gjë tjetër të bëni, ngrini Flamurtarin aty ku i takon, ngrijeni emrin aty ku duhet, sepse po merrni në qafë 1 ekip legjendë, po merrni në qafë Vlorën me këtë përfaqësim që ju po bëni. Lojtarë, luani më zemër! Nuk është Flamurtari për të marrë ju minutat.
Reagoni sa nuk është vonë, sepse do merrni reagime tjera nga ne tifozët e Vlorës. E mbushet kupën dhe nuk po na mbushni me ato emocione që ne kërkojmë. Deri tani po ju mbajmë në mendje për faqen e zezë që ju po tregoni.
Nuk duam lojtar Instagram-i, lojtarë Facebook-u, lojtarë plazhistë, nuk ja u kemi nevojën këtyre lojtarëve! Mblidhni mendjen e mendoni ku keni ardhur. Vlora është aq e lehtë, por është edhe shumë e vështirë. Të hash 5 gola nga Bylisi dhe të mos ketë 1 reagim nga drejtori i klubit, nga trajneri, apo edhe të ndonjë lojtari që të kërkoje falje, apo qoftë të flasë. Kjo është për turp, Turpi po bie te ju tashmë.
I nderuar trajner i Flamurtarit, që as emrin s’ta kemi mësuar, edhe as emrin s’duam ta mësojmë sepse je TURPI i këtij ekipi. Jep dorëheqjen sepse nuk je për këtë punë. Është e vështirë të mësosh kamionin pa ditur makinën zotëri. Do të mbajmë mend për një njollë të zezë që po i bën këtij qyteti. JE PER TURP.
Dhe e fundit, që të mbyllim këtë deklaratë, është për futbollistët faqezinj, për futbollistët e plazhit të Flamurtarit. Të nderuar futbollistë, kjo javë që vjen është java vendimtare për ju, për këdo. Nëse nuk reagoni, ato fanellat që keni veshur do i dorëzoni të gjitha e do ikni vet para se situata të kalojë për ccdo njeri personale. FLAMURTARI LEGJENDA KUQ E ZI”, shkruajnë Flota Kuq e Zi në faqen e tyre në “Facebook”.