E mbajti Udinesen në Serie A, klubi shkarkon Cannavaro

schedule10:51 - 9 Qershor, 2024

schedule 10:51 - 9 Qershor, 2024

Mbijetesa në Serinë A nuk mjafton, Udinese ka vendosur të ndërpresë bashkëpunimin me trajnerin Fabio Cannavaro, pavarësisht se ky i fundit ia doli të realizojë objektivin e klubit, që ishte qëndrimi në elitën e futbollit italian.

Ish-kampioni i Botës me Italinë në 2006-ën mori drejtimin e Udineses më 22 prill dhe qëndroi në stol deri në fund të sezonit, teksa në 6 takime regjistroi dy fitore, tre barazime dhe një humbje, duke i dhënë skuadrës 9 pikë të mjaftueshme për të qëndruar mes më të mirëve.

Lajmin për largimin e ka dhënë vetë Cannavaro në rrjetet sociale, ku ndër të tjera ka sqaruar se i është komunikuar vendimi për ndërprerjen e bashkëpunimit, ndonëse ai vetë ishte i prirur për të vijuar përpara këtë punë të nisur në prill të këtij viti.

“Presidenti Pozzo më ka komunikuar vendimin e shoqërisë për të mos vazhduar bashkëpunimin profesional. Më vjen keq që nuk do të vazhdojmë këtë udhëtim të shkurtër, por intensiv, që na dhuroi emocione të shumta. Dua të theksoj se nga ana ime ekzistonte vullneti për të vazhduar përpara punën këtu në Friuli, një vend që më ka hyrë në zemër, ashtu si njerëzit e tij, ndaj u vura në dispozicion të shoqërisë pa kushte. U uroj më të mirën në të ardhmen, klubit të Udineses dhe tifozerisë së saj fantastike”, shkroi Cannavaro./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!