Odion Ighalo ishte goditja e fundit e Manchester United në merkaton e janarit. Sulmuesi nigerian la kinezët e Shenhua dhe u rikthye në Premier League, aty ku ishte aktivizuar më parë me Watford.
30-vjeçari gjeti golin e parë me “Djajtë e Kuq” në fitoren 5-0 kundër Club Brugge në Europa League. Ighalo realizoi në minutën e 34-t pas një pasimi të Juan Matës. Afrikani kishte deklaruar se çdo gol do ia dedikonte motrës së tij dhe e mbajti fjalën.
LEXO EDHE: “Motra ime tifoze e United, lutej të firmosja. Sa keq që nuk po e shijon”
Kjo e fundit ishte një tifoze e zjarrtë e United, por para disa kohësh u largua nga jeta dhe nuk ia doli të realizonte ëndrrën për të parë vëllanë duke luajtur e shënuar me skuadrën e zemrës.
“Është një moment shumë i bukur për mua, e kam pritur prej kohësh këtë çast. E kam ëndërruar gjithmonë këtë moment. Kisha pak presion deri sa të shënoja golin e parë, por tani mund të them që ka nisur karriera ime si goleador i United“, deklaron për BT Sport, Ighalo, i cili e mbajti fjalën dhe ia dedikoi motrës së tij golin ndaj belgëve. /abcnews.al