Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Mallakastër, ku 50-vjeçarja Drita Saliaj u vra nga nipi i burrit të saj dhe dy të rinj të tjerë.
Tre autorët ishin futur për të grabitur në banesën e 50-vjeçares e cila jetonte e vetme. Pasi nuk kanë gjetur paratë, autorët e kanë dhunuar dhe më pas e kanë hedhur të gjallë të rezervuarin e fshatin Gjerbës.
Gazetarja Valbona Daci raporton për abcnews.al se tre autorët kanë shkuar si mysafirë me rastin e festave dhe janë pritur nga viktima. Madje 50-vjeçarja u ka shërbyer edhe kafe.
Këtë version e tregon edhe kunati i viktimës.
“Shkuam te rezervuari se ata kishin thënë e kemi hedhur. Njërin nga autorët e kam djalin e kushëririt të parë. Sipas informacioneve ata kishin pirë kafe dhe aty pastaj ka ndodhur e gjithë kjo”, shprehet ai.
Familjarët e viktimës, të cilët ndodhen në Greqi kanë tentuar ta telefonojnë, në momemtin që nuk u është përgjigjur telefonatave kanë telefonuar të afërmit e tjerë. Mësohet se tre autorët kanë pranuar në polici krimin e rëndë.
Ndërkaq, kunata e viktimës rrefen se 50-vjeçarja jetonte e vetme, pasi bashkëshortin dhe dy djemtë i kishte në Greqi. Lidhur me autorët, ajo shprehet se nipi i tyre Luiz Saliaj ishte person problematik.
“Shtëpinë e kanë ngjitur. Djali i kunatit është shumë i keq. Edhe ai Sindi, nuk e di si arritën në atë gjendje, edhe Visi. Ky ka qenë, por kemi qenë ne të duruar, e kanë rrahur kunatin kanë thyer tjegullat e shtëpisë, por kemi qenë ne që jemi shmangur”, thotë ajo teksa shton se për ngjarjen janë njoftuar mbrëmë nga policia.
Të arrestuarit janë, Luiz Saliaj 16 vjec nip i burrit të viktimës, Sindi Shehaj 16 vjeç dhe Ervis Zotaj 26 vjeç, banues në Gjerbës, Mallakastër.
Njoftimi i policisë:
Policia zbardh në kohë rekord ngjarjen e ndodhur në datë 05.01.2020 në fshatin Gjerbës.
Arrestohen 3 shtetas të dyshuar si autorë të vrasjes së 50 vjeçares
Në orët e para të mëngjesit të sotëm, në Komisariatin e Policisë Mallakastër janë paraqitur familjarët e shtetases D. S, 50 vjeçe, të cilët denoncojnë largimin nga banesa të 50-vjeçares.
Pas marrjes së denoncimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër në bashkëpunim me strukturat policore të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier organizuan punën dhe në kohë rekord zbardhën ngjarjen.
Pas hetimeve të kryera rezultoi se nipi i shtetases së humbur( djali i vëllait të burrit), në bashkëpunim me 2 shokë të tij, në datën 05.01.2020 kanë shkuar për të vjedhur në banesën e 50-vjeçares dhe pas rezistencës të hasur nga kjo e fundit, e kanë hedhur në rezervuarin e fshatit Gjerbës.
Në vijim të punës për zbardhjen e plotë të ngjarjes, nga shërbimet e policisë Mallakastër dhe Polumbarët e Repartit Special Renea u gjet në rezervuar trupi i pajetë i shtetases D. S.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, arrestuan shtetasit:
-L. S., 16 vjeç, banues në Gjerbës,.S. Sh., 16 vjeç, banues në Çërrillë, dhe E. Z., 26 vjeç, banues në Gjerbës, Mallakastër.
Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë për veprime të mëtejshme
/abcnews.al