Lorenc Trashi u dëmtua në ndeshjen që Partizani barazoi në shtëpi me Bylisin, ndërkohë që lajmi i keq për mbrojtësin e majtë është që nuk do të mund të luajë në derbin e së premtes kundër Tiranës. Trajneri Adolfo Sormani do të duhet të aktivizojë dikë tjetër në linjën e majtë të mbrojtjes.
“Lorenc Trashi ka lënë sot ambientet e “Spitalit Amerikan 3″. Titullari i kuq, i cili pësoi një dëmtim gjatë takimit Partizani – Bylis, përgjatë gjithë këtyre ditëve ka qenë nën mbikëqyrjen e specializuar të stafit mjekësor. 27-vjeçari tashmë do të nisë periudhën e riaftësimit”, njofton klubi i kuq përmes faqes zyrtare në “Facebook”.
Partizani nuk bën me dije se sa kohë Trashi do të qëndrojë jashtë fushave të blerta. Stafi teknik dhe tifozët shpresojnë që mbrojtësi i majtë të jetë gati sa më shpejt, pasi është një nga lojtarët më të rëndësishëm në formacionin e të kuqve. /abcnews.al