Armando Broja është përkushtuar totalisht te Europiani Gjermani 2024, ku gjasat janë që të udhëheqë sulmin e kuqezinjve të Sylvinhos, megjithatë zhvillimet në merkato nuk e kanë lënë jashtë vëmendjes.
Sulmuesi shqiptar pritet të largohet nga Chelsea këtë verë, teksa ofertat nuk mungojnë dhe prestigjozja italiane “La Gazzetta Dello Sport” i ka dedikuar kopertinën Brojës, duke e cilësuar si një nga objektivat më të mëdhenj të Milanit.
Kuqezinjtë kanë shfaqur edhe më herët interes për sulmuesin shqiptar dhe tashmë janë kthyer sërish në garë. E përditshmja italiane raporton për një blitz në Londër të drejtuesve të Milanit, që po punojnë për të sjellë në Milano jo vetëm sulmuesin kuqezi, por edhe mbrojtësin polak Matty Cash, i cili prej 4 sezonesh është një pikë e fortë e prapavijës së Aston Villës.
Trajneri i ardhshëm i Milanit, Paulo Fonseca duket se ka dhënë miratimin për Brojën dhe sulmuesi kuqezi, bashkë me holandezin Zirkzee duket se janë të përzgjedhurit për të mbajtur peshën e repartit të avancuar për sezonin e ardhshëm./ h.ll/abcnews.al