Gazment Bardhi ka “sulmuar” Drejtësinë e Re gjatë fjalës së tij në Kuvend. Ai e quan Reformën në Drejtësi një zgjatim të drejtësisë së vjetër e cila nuk ka ndëshkuar të “paprekshmit.” Demokrati akuzoi kryeministrin Rama se i ka dhënë statusin “të paprekshëm” nga drejtësia personave që janë në oborrin e tij.
Bardhi: Kjo reformë do t’i jepte fund pandëshkueshmërisë dhe do t’i jepte fund një grushti njerëzit që qeverisin. 6 vite nga miratimi i Reformës në Drejtësi secili prej jush që e besonte këtë, bashkë me mua pyet veten a ka ndodhur kjo? Dikush mund të thotë që është ende fillimi, është shpejt. Edhe unë bëj pjesë në atë kategori që mendoj se institucionet janë në provë dhe duan inkurajim, por koha kalon.
Duhet të kishim parë se të paprekshmit të ndjenin frikën e asaj që quhet drejtësia e re. Për fat të keq kjo nuk ka ndodhur. E ka marrë emrin drejtësi e re, por në thelb vazhdon të jetë drejtësi e vjetër. 3304 qytetarët që janë dënuar për ndërtime pa leje nuk janë pjesë e oborrit të kryeministrit.
Nëse ke mbrojtjen e tij, drejtësia e re ul kokën, mbyll sytë dhe nuk shikon. Nëse je pjesë e oborrit të kryeministrit mund të ndërtosh plot 5 kate pa leje në mes të Tiranës dhe gjithë institucionet ulin kokën dhe nuk shikojnë. Të gjithë janë në garë kush t’i shërbejë më parë për të fshehur ligjin.
Deputeti demokrat theksoi dhe një herë se “ligji vepron kur ndërtojnë njerëzit e thjeshtë, por kur ndërtojnë oligarkët me të cilët qeveria ndan paratë ligji ul kokën.”
“Si mund të vendosësh shtetin në dispozicion të pandëshkueshmërisë? Pse nuk e bën këtë Rama për një çati në një fshat të Shqipërisë. 3304 qytetarët nuk janë të barabartë me ndërtuesit e gradaçelave në Tiranë.
Edi Rama e di se për oborrin e tij e ka vënë poshtë vetes drejtësinë. E di se Inspektoratet, bashkia, policia, prokuroria, drejtuesi i SPAK do ulin kokën dhe do bëjnë sikur nuk e shohin paligjshmërinë në mes të Tiranës sepse atë e ka ndërtuar dikush që Rama i ka dhënë statusin i paprekshëm.
Këtë ju e quaji drejtësi e re? Ngrijeni kokën dhe na tregoni që ligji është i barabartë për të giithë. Na tregoni që jeni vërtet Drejtësia e Re.”, tha ai.
“Të nderuar kolegë, të jemi të vërtetë me qytetarët. Të paktën ti kursejmë talljen shqiptarëve, të mos i themi drejtësia është e re për 3304 qytetarë të zakonshëm që dënohen pse ndërtojnë pa leje catinë e shtëpisë së tyre, por është më e vjetëruar se e vjetra kur ndërton 5 kate në mes të Tiranës pa leje sepse je ortak i Edi Ramës, je KASTRATI dhe gëzon statusin “i paprekshëm”.
Fjala e plotë e Gazment Bardhit
Fjala në Parlament e Gazment Bardhit
Të dashur bashkëqytetarë,
Reforma në Drejtësi ishte dhe mbetet kërkesë e shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë, që mendonin dhe besonin se kjo reformë do i jepte fund pandëshkueshmërisë, do të siguronte barazinë para ligjit, dhe do i hiqte përfundimisht statusin “të paprekshëm” një grushti njerëzish që kontrollojnë qeverisjes dhe ekonominë e vendit me qytetarët më të varfër në Europë. 6 vite nga miratimi me konsensus i reformës kushtetutese në drejtësi, secili prej jush, që e besonte këtë, përfshirë edhe mua, pyet veten: A ka ndodhur kjo?
Dikush në këtë sallë, apo edhe jashtë saj, mund të thotë që është fillimi, është ende shpejt. Edhe unë bëj pjesë tek ajo kategori qytetarësh që mendon se institucionet e reja të drejtësisë janë në provë, duhen inkurajuar të bëjnë punën e tyre, duhen mbështetur apo nxitur që të zbatojnë ligjin.
Mirëpo, koha kalon dhe shenjat e para janë zhgënjyese. Shumica e institucioneve të reja të drejtësisë janë bërë funksionale më shumë se 3 vjet më parë.
Në 3 vjet qytetarët duhet të kishin filluar të merrnin mbrapsht besimin që investuan tek Reforma në Drejtësi, duhet të kishin parë që ato që deri dje gëzonin statusin “të paprekshëm” të ndjenin frikën e asaj që quhet drejtësia e re.
Por për fat të keq kjo nuk ka ndodhur. Drejtësia e ka marrë tashmë emrin “e re”, por në sjellje vijon të jetë “e vjetër”. Ajo vazhon të jetë drejtësia që godet në palcë të pamundurin, qytetarin e zakonshëm, dhe i jep imunitet atyre që kanë qenë dhe vijojnë të jenë të paprekshëm.
Për të qenë konkret këtë do ta ilustroj me një shembull domethënës, se përse drejtësia nuk mund të jetë kurrë e re në sjellje, nëse është produkt i vullnetit të një Kryeministri të korruptuar.
Në 5 vjet 3304 qytetarë janë dënuar për veprën penale “ndërtim i paligjshëm”. Kjo shifër është një e dhënë zyrtare e marrë nga Ministria e Drejtësisë. Asnjë prej këtyre 3304 qytetarëve nuk ka bërë si ndërtim të paligjshëm as gradacela dhe as biznese. Përkundrazi, kanë rregulluar catinë e shtëpisë së tyre të rrënuar, kanë rregulluar murin rrethues, apo kanë rregulluar dhomën e gjumit të fëmijëve të tyre. Pavarësisht se kanë qenë në majë të malit, në zona të thella apo të izoluara, ato nuk i kanë shpëtuar syrit të institucioneve. Menjëherë u ka shkuar Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit, bashkia, policia, prokuroria, dhe në fund ka hyrë në lojë edhe gjykata duke i dënuar.
Mirëpo fat të ndryshëm për drejtësinë e re kanë “të paprekshmit”. Ata mund të ndërtojnë pa lejë ngjitur me zyrën e Kryeministrit, përballë sallës ku ne ushtrojmë veprimtarinë si deputetë, poshtë dritares së zyrës së Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, përballë derës së zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, në lagjen ku banon drejtuesi i SPAK apo Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, dhe janë të qetë sepse e dinë që të gjithë këta do të ulin kokën kur të kalojnë përpara ndërtimeve pa leje që bëjnë “të paprekshmit”.
Dhe për mua drejtësia nuk është kurrë e re, kur i tregon dhëmbët, i tregon ligjin, një fshatari që rregullon catinë e shtëpisë, por ul kokën përpara kateve pa leje të gradacelave, në mes të Tiranës, vetëm për faktin se pas saj është “një i paprekshëm”. Kjo nuk është drejtësia e re, por drejtësi me e vjetëruar se vetë drejtësia e vjetër. Kjo nuk është drejtësia ku qytetarët ushqyen besim. Kjo nuk është drejtësia që siguron barazinë para ligjit.
A mund të më thoni kolegë, por edhe drejtuesit e institucioneve të drejtësisë që janë sot prezent në këtë seancë plenare, pse është i ndryshëm pronari i këtij ndërtimi (SHFAQ FOTON E PALLATIT), nga 3304 qytetarët e tjerë që kanë shkuar në burg për ndërtime të paligjshme. Pse ligji nuk është i barabartë për 3304 qytetarët dhe pronarin e këtij ndërtimi?
Përgjigjia është vetëm një: 3304 qytetarët që janë dënuar për ndërtim pa leje nuk janë pjesë e oborrit të Kryeministrit, nuk ndajnë para më të, nuk kanë mbrotjen e Kryeministrit. Nëse je pjesë e oborrit të Edi Ramës, nëse ndan parë me të apo ministrat e tij, nëse ke mbrojtjen e tij, drejtësia më e vjetëruar se ajo e vjetra, ul kokën, mbyll sytë dhe nuk shikon.
Nëse je pjesë e oborrit të Kryeministrit mund të ndërtosh, jo një murë apo cati, por plot 5 kate pa leje, në mes të Tiranës, me vlerë tregu miliona euro, dhe të gjitha institucionet ulin kokën, nuk shikojnë, nuk veprojmë, por përkundrazi përfshihen të gjitha kush të të shërbejë më parë për të fshehur shkeljen e ligjit.
Po pse them unë që këta janë të paprekshëm, sepse kanë mbrojtjen e Kryeministrit, Kryeministri është në shërbimin e tyre. Që të jem i qartë nuk bëhet fjale vetëm për këtë ndërtim, sepse si ky rast janë dhjetra të tjera po në zemër të Tiranës, që askush nuk i sheh, askush nuk u tregon ligjin. Por po ndalem tek ky rast mqs e kam të provuar me dokumente zyrtare.
Cfarë tregojnë dokumentet zyrtare, që provojnë jo vetëm që Edi Rama i ka dhënë statusin “i paprekshëm” që e respekton edhe drejtësia me prapashtesën “e re”, por vendos shtetin në dispozicion për të mbuluar dhe ligjëruar paligjshmërinë.
Oligarku mik i Edi Ramës merr leje ndërtimi për 37 kate mbi tokë, ndërton 42 kate mbi tokë, pasi i ndërton pa leje kërkon shtesë të lejes, por ligji nuk e lejon. Cfarë bën Edi Rama thoni ju, zbaton ligjin|? Jo ndryshon ligjin sipas interesit të paligjshëm të oligarkut.
Konkretisht, Agjencia e Zhvillimit të Territorit, në varësi të Edi Ramës, në vijim të një kërkese për informacion të datës 15 Prill 2022, më informon se për këtë ndërtim që unë tregova në foto Edi Rama ka firmosur dy vendime. Të parin për miratimin e lejes së zhvillimit për 37 kate mbi tokë dhe 5 kate nëntokë; dhe të dytin për lejimin e shtimit të disa kateve. (TREGON SHKRESËN E AZHT)
Pasi firmos pa kryer asnjë verifikim apo pa marrë asnjë konfirmim nëse është respektuar apo jo leja e parë, ndërkohë që 5 katet shtesë pa leje ishin ndërtuar paraprakisht, Edi Rama urdhëron Erjon Veliajt, të miratojë lejën e ndërtimit për shtesë të disa kateve.
Në 13 Qershor 2022, plot dy muaj pasi unë e kisha vënë zyrtarisht në dijeni dhe kisha kërkuar informacionin, Erjon Veliaj bën sikur nuk kupton, por më informon se nuk e ka miratuar kërkesën për lejen e ndërtimit për shtimin e disa kateve. Ndërkohë për faktin që tashme katet shtesë pa leje janë ndërtuar dhe janë bërë fakt, Erjon Veliaj që sheh gjithcka dhe di gjithcka në këtë qytet, me referon të pyes tek Inspektorati Kombëtar i Territorit, sepse sipas tij inspektimi dhe kontrolli i ditëpërditshëm i territorit është kompetencë e tyre.
Sic informon zyrtarisht Bashkia e Tiranës refuzimi i lejës së ndërtimit është bërë për arsyen se “ndryshimi i projektit të propozuar (kërkesa për të shtuar disa kate mbi lejën e ndërtimit të miratuar në 2018) nuk është në përputhje me nenin 17 të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 408, datë 15.05.2015 “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”. E përsërisë shtesën e kateve e ndalonte neni 17 i VKM nr. 408/2015. (TREGON SHKRESËN E BASHKISË TIRANË)
Cfarë bën Edi Rama? Se mos mendon ndonjë nga ju që zbatoi ligjin, apo urdhëroi vartësit që këtë ndërtim ta trajtonte në mënyrë të barabartë me 3304 qytetarët e tjerë që ishin dënuar pse ndërtojnë pa leje catinë e shtëpisë së tyrë. Jo, nuk zhgënjen edhe në këtë rast. Vendos shtetin në shërbim të paligjshmërisë, sepse paligjshmëria është kryer nga oborri i tij. 10 ditë pasi Bashkia e Tiranës refuzon të miratoi lejën e ndërtimit për shtimin e disa kateve, me vendimin nr. 457, datë 29 Qershor 2022 të Këshillit të Ministrave, Edi Rama e ndryshon pikën 17, që pengonte Bashkinë e Tiranës në ligjërimin e 5 kateve që tashmë janë ndërtuar pa leje. (TREGON VKM NR. 457/2022)
Kur ndërtojnë qytetarët pa leje, ligji vepron, ata përfundojnë në burg. Kur ndërtojnë të paprekshmit, oligarkët me të cilët qeveria ndan para, Edi Rama ul kokën, policia ul kokën, prokuroria ul kokën, ligji nuk vepron. Jo vetëm askush nuk hyn në burg, por Edi Rama ndryshon vendimin e qeverisë për ta bërë të ligjshëm dhe i siguron oligarkut 30 milion euro fitim vetëm për 5 kate shtesë pa leje.
A ka rast më të pastër korrupsioni dhe shpërdorimi detyre? Si mund të vendosësh shtetin në dispozicion të paligjshmërisë? Si mund të ndryshosh ligjet për një rast konkret, për të ligjëruar paligjshmërinë? Pse nuk e bën këtë Edi Rama për catinë e një familje në një fshat të Shqipërisë?
Përgjigja është e qartë: 3304 qytetarë nuk janë të barabratë me grushtin e njerëzve që janë pjesë e oborrit të Edi Ramës. Sepse 3304 qytetarët nuk janë të barabartë me ndërtuesin e kësaj gradacele dhe as me ndërtues të tjerë të gradacelave në Tiranë që kanë të njëjtën problematikë; 3304 qytetarët e dënuar për ndërtim të paligjshëm nuk janë oborri i Edi Ramës dhe ministrave të tij.
Dhe Edi Rama e di se për oborrin e tij e ka vënë poshtë vetes drejtësinë me prapashtesën “e re”, por që është më e vjetëruar se drejtësia e vjetër. Edi Rama e di që inspektoratet, bashkia, policia, prokurorët, Prokurori i Përgjithshëm, drejtuesi i SPAK, do të ulin kokën dhe do bëjnë sikur nuk e shohin paligjshmërinë në mes të Tiranës, sepse atë e ka kryer dikush që Edi Rama i ka dhënë statusin “i paprekshëm”. Dhe këtë ju e quani drejtësi të re?
I nderuar z. Prokuror i Përgjithshëm; I nderuar z. Drejtues i SPAK, unë do doja shumë tju shikoja që ta ngrini kokën kur të dilni nga kjo sallë dhe të kaloni përpara këtij ndërtimi, dhe dhjetra të tjerëve si ky në mes të Tiranës që kanë të njëjtën problematikë. Ngijeni kokën dhe na tregoni që ligji është i barabartë për të gjithë. Bëjeni këtë pa marrë leje nga Edi Rama; bëjeni këtë për Shqipërinë; bëjeni këtë për fëmijët tuaj dhe të mijëra e mijëra familjeve të ndershme që kanë vendosur të rrisin fëmijët në këtë vend.
Bëjeni këtë dhe na tregoni që jeni vërtetë drejtësia e re sic keni filluar të quani vetën. Sepse drejtësia që i tregon dhëmbët 3304 qytetarëve të zakonshëm të këtij vendi, por ul kokën përpara të paprekshmëve të Edi Ramës dhe Edi Ramës vetës, nuk është drejtësi e re. Kjo është e njëjta drejtësi e vjetruar, që edhe pse fytyrën mund ta ketë të re, mendjen dhe sjelljen e ka të vjetër, e ka të njëjtë.
Të nderuar kolegë, të jemi të vërtetë me qytetarët. Të paktën ti kursejmë talljen shqiptarëve, të mos i themi drejtësia është e re për 3304 qytetarë të zakonshëm që dënohen pse ndërtojnë pa leje catinë e shtëpisë së tyre, por është më e vjetëruar se e vjetra kur ndërton 5 kate në mes të Tiranës pa leje sepse je ortak i Edi Ramës, je KASTRATI dhe gëzon statusin “i paprekshëm”.
Drejtësia do të jetë e re kur të ketë fytyrën, mendjen dhe sjelljen e re. Drejtësia do të jetë e re ku askush mos gëzojë statusin “i paprekshëm”, drejtësia do të jetë e re kur Kryeministri të mos guxojë, që ditën për diell, të ndërmarrë veprime, të vendos shtetin në dispozicion të oborrit të tij, për të mbuluar paligjshmërinë.
Drejtësia do të jetë e re, kur Edi Rama të jetë i barabartë me 3304 qytetarët e tjerë të këtij vendi; ku oligarkët të jenë të barabartë me 3304 qytetarët e këtij vendi; ku ne në këtë sallë të jemi të barabartë me 3304 qytetarët e tjerë të këtij vendi. Deri sa kjo të ndodh ajo që ju quani “drejtësia e re”, do të vazhdojë të jetë thjeshtë “drejtësia e të paprekshmëve”.
Ne në këtë sallë do bëjmë sikur i rekomandojmë institucioneve të drejtësisë prioritete; dhe institucionet e drejtësisë do bëjnë sikur po ndërtojnë drejtësinë e re që po presin prej 6 vitesh qytetarët shqiptarë.
Por drejtësia e të paprekshmëve nuk rregullohet as me rezoluta dhe as me rekomandime. Drejtësia e të paprekshmëve rregullohet vetëm duke larguar atë që shpërndanë titujt “i paprekshëm”.
/Abcnews.al.