“E hëna blu”: Pse 18 Janari konsiderohet si dita më depresive e vitit?

schedule13:13 - 18 Janar, 2021

schedule 13:13 - 18 Janar, 2021

Çdo vit, e hëna e tretë në janar konsiderohet dita më e trishtuar dhe këtë herë përkoi me 18 Janarin. E quajtur ndryshe “E hëna blu”, mendohet si dita kur njerëzit janë më të trishtuar dhe pesimistë se çdo ditë tjetër të vitit. “E hëna blu” është një koncept që u krijua në 2005-ën nga psikologu Cliff Arnall, i cili doli me një formulë ku shpjegonte faktorët që mund të kontribuojnë në një gjendje të dobët shpirtërore.

Por, a është në të vërtetë dita më depresive e vitit apo thjesht një strategji marketingu? Megjithëse nuk ka asnjë bazë shkencore, thuhet se e hëna blu lindi si pjesë e një fushate reklamimi nga agjencia e udhëtimit Sky Travel, për të cilën Arnall u punësua. Sipas tij, borxhet e marra për festa, kushtet e motit, paga mujore apo niveli i ulët i motivimit janë ndër arsyet që e bëjnë të hënën e tretë të vitit, ditën më të tmerrshme.

Pavarësisht kësaj, nuk ka asnjë provë shkencore që sugjeron se e hëna e tretë e vitit është pak apo më shumë dëshpëruese se çdo ditë tjetër.  Sipas Dr Dean Burnett, “ka kaq shumë arsye për të besuar se formula e së hënës blu është e pakuptimtë”. “Së pari, ekuacioni nuk ishte rezultat i një studimi psikologjik nga një laborator me reputacion, por i kryer nga një kompani udhëtimi, e cila më pas kërkoi që një psikolog t’i vinte emrin e tij, për ta bërë atë të duket i besueshëm.“, thotë ai.

Mbi 15 vjet më vonë, megjithë origjinën e saj pseudoshkencore, “e hëna blu” mbetet ende një trend në mediat sociale çdo vit. Kjo varet kryesisht nga industria e PR, duke përdorur të hënën blu si një shans për të shitur produkte të mirëqenies, fitnessi apo mjete të tjera të vetë-përmirësimit dhe rritjes së lumturisë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!