Jo vetëm Aldi Rama, 21-vjeçari që vrau veten pasi qëlloi për vdekje nënkomisarin Saimir Hoxha, teksa ai ndodhej në krye të detyrës. Arresti shtëpiak është thyer edhe nga xhaxhai i tij Baki Rama. Burime bëjnë me dije se ai ishte lënë nga gjykata në “arrest shtëpie” pasi ishte vënë në pranga 6 muaj më parë për tregti të lëndëve piroteknike.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga policia ditën kur ndërroi jetë Aldi Rama, xhaxhai i tij nuk është gjetur në banesë. Dyshohet se familjarët i thanë policisë se ai kishte shkuar në Tiranë për të marrë trupin e pajetë të nipit. Ditën e sotme Baki Rama ka dalë para gjykatës në Durrës për t’u njohur me masën e sigurisë, ku togat e zeza kanë vendosur “arrest me burg”.
Aldi Rama kreu krimin tre ditë më parë, teksa ndodhej në arrest shtëpiak të vendosur në Maj të këtij viti. Ai qëndroi për disa orë i fshehur në zonën e Kune Vain dhe më pas qëlloi ndaj vetes me një plumb në pjesën anësore të ballit. 21-vjeçari ndërroi jetë një ditë më pas në spital.
I riu ndodhej në makinë me dy shokë kur u ndalua nga Hoxha dhe dy efektivë të tjerë të cilët po ktheheshin nga operacionin për asgjësimin e lëndëve narkotike në këtë zonë. Në momentin e kontrollit Aldi Rama i tha Saimir Hoxhës: “Unë nuk jam për kontroll”, dhe më pas e qëlloi me dy plumba. Një prej tyre i kapi zemrën. Hoxha ndërroi jetë rrugës për në spital.
21-vjeçari kishte pasur një jetë mjaft të vështirë, sidomos pas divorcit të prindërve. Ai jetonte me gjyshërit e tij. Gazetari Artan Hoxha deklaroi dje në ABC se në moshën 9-vjeçare ai kishte parë të atin duke kërcënuar të ëmën me motosharrë. Rama u arrestua që në moshën 18-vjeçare për trafik të lëndëve narkotike. Ndërsa më pas ai ishte akuzuar për dhunë ndaj të dashurës së tij. m.v/abcnews.al