Vrasja e Madrit Ulqinakut, gjendet në Shkumbin arma e autorit

schedule09:04 - 23 Gusht, 2022

schedule 09:04 - 23 Gusht, 2022

Është gjetur në lumin Shkumbin arma me të cilën dyshohet se u vra 33-vjeçari Madrit Ulqinaku, pak ditë më parë në Elbasan. Ndërkohë, mbrëmjen e kaluar u arrestua edhe autori i dyshuar i ngjarjes, 18-vjeçari Horgito Peqini. Në pranga është vënë edhe 33-vjeçari Klaudian Sallaku, i cili ishte bashkë me autorin e dyshuar të vrasjes.

Dy ditë pas vrasjes policia arrestoi Eiden Dinon, i cili ishte i pranishëm në momentin e krimit. Ky i fundit ka folur para oficerëve të policisë gjyqësore duke treguar të gjitha rrethanat e krimit.

Lexo edhe: “Horgito piu drogë, unë disa birra”: Zbardhet dëshmia mbi vrasjen e Madrit Ulqinakut në Elbasan. 18-vjeçari nxorri armën dhe qëlloi 1 herë

Sipas policisë, arrestimet e tyre kanë ardhur pas negocimeve me familjarët. I riu Ulqinaku u vra mbrëmjen e 17 gushtit pranë “Elbasan Arena” pas një përplasjeje verbale me autorin e dyshuar Horgito Peqini.

Njoftimi i policisë:

Elbasan/Policia pas shumë kërkimesh, gjen në lumin Shkumbin, armën e zjarrit pistoletë, me të cilën dyshohet se u vra 33-vjeçari M. U.

Gjatë mbrëmjes së djeshme u vu në pranga autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje dhe bashkëpunëtori i tij.

Në vijim të veprimeve të kryera për zbardhjen e ngjarjes, si dhe në bazë të provave të grumbulluara nga puna e mirëfilltë hetimore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Seksionin e Forcës Operacionale në DVP Elbasan, në kuadër të operacionit policor të koduar “The end”, u vu në pranga autori i dyshuar i ngjarjes së datës 17 gusht, ku mbeti i vrarë me armë zjarri 33-vjeçari M. U.

Në kuadër të këtij operacioni, si rezultat i kontrolleve të shumta të zhvilluara nga Policia e Elbasanit, si dhe i negocimeve me familjarët, u bë e mundur vënia në pranga e shtetasve H. P., 18 vjeç dhe K. S., 33 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për këta shtetas, për veprat penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë vrarë, për motive të dobëta, me armë zjarri, shtetasin M. U., mbrëmjen e datës 17.08.2022.

Në cilësinë e provës materiale, Policia sekuestroi armën e zjarrit pistoletë me një krehër me 6 fishekë në të, të cilat u gjetën pas kërkimeve intensive nga ana e shërbimeve, në shtratin e lumit Shkumbin.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!