Vjen vendimi final nga CAS rreth merkatos, Partizani reagon me njoftim

schedule23:32 - 3 Shtator, 2020

schedule 23:32 - 3 Shtator, 2020

Lajm i keq për Partizanin dhe tifozët e kuq. FIFA bllokoi merkaton e “Demave” për shkak të parregullsive në lidhje me afrimin e Eraldo Çinarit. Klubi kryeqytetas apeloi në CAS (Gjykata e Arbitrazhit Sportiv), por përgjigja është negative.

Klubi njofton se është njohur sot me vendimin e ndërmjetëm të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS), i cili lë në fuqi vendimin e Dhomës së Zgjidhjes të Konflikteve të FIFA-s për pezullimin e klubit nga pjesëmarrja në dy sesionet e radhës të merkatos.

Duke siguruar sportdashësit dhe opinionin sportiv se Partizani ka vepruar përherë konform të gjitha rregullave dhe legjislacionit sportiv shprehim zhgënjimin tonë mbi këtë vendim që cenon ecurinë tonë në kampionatin që sapo pritet të filloj.

LEXO EDHE: Dosja Çinari/ Gjoba nga FIFA, si e pësojnë futbollisti dhe Partizani

Në arsyetimin e saj CAS ka vlerësuar se pezullimi nga dy sesione të merkatos nuk shkakton dëme të pariparueshme dhe afatgjata ndaj klubit. Pavarësisht se ky vendim në arsyetimin e tij na pengon në zhvillimin normal të projektit sportiv për sezonin aktual, FK Partizani do të vijojë punën e pandërprerë me gjithë vështirësitë e krijuara duke pasur besimin maksimal tek stafi teknik dhe lojtarët aktualë.

Për sa i përket gjyqit në CAS, klubi po punon për të siguruar mbrojtjen ligjore dhe synon fitimin e gjyqit përpara sesionit të ardhshëm të transferimit të lojtarëve“, lexohet në komunikatën e Partizanit, një lajm që shqetëson trajnerin Ilir Daja mbi të gjithë. /abcnews.al