Ka nisur sot vaksinimi kundër koronavirusit në vend. Kryeministri Edi Rama ashtu sikurse lajmëroi ka marrë vaksinën para kamerave, pas shefes së Infektivit Najada Çomo.
Fillimisht Rama ka plotësuar formularin, sipas procedurës, ku i është nënshtruar disa pyetjeve. Pas kësaj kreu i qeverisë mori vaksinën. Kryeministrit do t’i duhet të qëndrojë 30 minuta pas marrjes së injeksionit në stadiumin “Air Albania”.
Pas kryeministrit u vaksinuan mjekët Pëllumb Pipero dhe Tritan Kalo. Bluzat e bardha janë ata që do marrin vaksinën, ndërkohë më herët sot Rama deklaroi se do ta bënte sot vaksinën anticovid, jashtë radhe në shenjë sensibilizimi për të gjithë skeptikët.
“Unë do ta bëj vetëm për të dhënë mesazhin që vaksina jo vetëm është e sigurt por edhe për t’ju thënë të gjithëve se dokrrat me çipa apo transformim të ilirëve në aziatik janë qesharake. Siç e kanë bërë edhe kolegë të mitë do ta bëj edhe unë. Meqë kemi një grup konspiracioni të afektuar nga llumi i rrjeteve sociale do ta bëj siç e kanë bërë kolegët e mirë, nuk do të dëshiroja që t’i zija rrallën askujt, por do ta bëj sot vetëm për këtë arsye”, tha Rama mesditën e sotme. g.v/abcews.al