Janë nxjerrë sëfundmi nga rrënojat dy trupa pa jetë, të cilët i përkasin familjes Gregu në Thumanë.
Gazetari Andi Qosja raporton për abcnews.al se trupat e nxjerrë pa jetë janë ata të Pëllumb dhe Çelike Gregu.
Gjatë ditës së djeshme nga rrënojat është nxjerrë i gjallë Saimir Gregu, por për fat të keq ai humbi jetën gjatë mëngjesit të sotëm në spital.
Mësohet se një tjetër djalë i familjes Gregu ndodhët ende nën rrënoja.
Familja Gregu kishte pesë anëtarë, deri më tani janë konfirmuar pa jetë, prindërit Pëllumb dhe Çelike Gregu dhe njëri prej djemve, Saimiri.
Ndërkohë vijojnë kërkimet për të nxjerrë anëtarët e familjes Lala në Durrës.
Pas tërmetit, edhe pse me dëme të konsiderueshme, banesa e tyre nuk ishte shkatërruar tërësisht.
Në këto momente ekipet e shpëtimit arrinin të dëgjonin zërat e banorëve nga brenda që kërkonin ndihmë.
Gazetarja Esiona Konomi raporton për abcnews.al se pas shembjes së dytë të banesës zërat u shuan.
Për fat të mirë gjatë mbrëmjes së djeshme është nxjerrë 17 vjeçari Ramë Lala, i cili kishte ngecur në një xhep mes kolonës dhe derës që e ka mbrojtur.
Deri më tani, Sadete Lala, gjyshja 80 vjeçare ka dalë pa jetë nga rrënojat.
Ajo jetonte në këtë banesë bashkë me një djalë beqar dhe familjet e dy djemve të tjerë që ishin në Itali. Të dy ata janë kthyer dje nga Italia.
Njëri prej djemve ka nën rrënoja gruan 30 vjeçe me tre fëmijë. Ndërkohë, djali tjetër ka nën rrënoja një vajzë, kurse vajza tjetër u nxorr dje pa jetë.
Ram Lala, vëllai i vajzës që u nxorr dje pa jetë doli dje i gjallë. Për fat të mirë, nëna e tyre shpëtoi pasi gjatë tërmetit ishte në Tiranë.
Aktualisht, në familjen Lala po kërkohen nën rrënoja një burrë, një nënë me tre fëmijë dhe motra e Ramë Lalës që doli dje i gjallë.
Ndërtesat e rrënuara përbëjnë rrezik për qytetarët, por edhe për shtëpitë private përreth për shkak se mund të ndodhë shembja nga momenti në moment.
Zjarrëfikësit italian janë në vendngjarje dhe po punojnë për shpëtimin e anëtarëve të familjes Lala. /abcnews.al