Sulm me thikë në xhaminë “Dine Hoxha” në Tiranë, 5 të plagosur

schedule15:10 - 19 Prill, 2021

schedule 15:10 - 19 Prill, 2021

Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e sotme në xhaminë “Dine Hoxha” në rrugën e Kavajës në Tiranë, ku një person ka plagosur me thikë 5 besimtarë.

Sipas policisë ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:30, në Rrugën e Kavajës, ku Rudolf Nikolli 34 vjeç, nga Burreli është futur në ambientet e xhamisë dhe në rrethana ende të paqarta ka plagosur me mjet prerës 5 shtetas.

Policia ka bërë të mundur neutralizimi dhe prangosja e autorit të dyshuar, shtetasi Rudolf Nikolli 34 vjeç, nga Burreli, i cili u shoqërua në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Ndërkohë, shërbimet e Policisë iu kanë dhënë ndihmën e parë shtetasve të lënduar, të cilët janë transportuar në spital, për ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën
Në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes. E.L/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!