Prokuroria e Posaçme ka nisur hetimet për tenderin e landfillit në Porto Romanos në Durrës, me dyshimin e pabarazisë në tendera.
Mësohet se SPAK-u ka sekuestruar dokumentet për tenderin me vlerë 17 miliard lek, pasi prokurimi është zhvilluar pa garë, por me procedurë prokurimi “me negocim, pa shpallje paraprake”.
Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Mbetjeve të Ngurta, e drejtuar nga Alqi Bllako, në datë 27 janar 2020 shpalli fitues të tenderit “Mbyllja e venddepozitimit ekzistues të mbetjeve të ngurta EKO-Park, Durrës”, bashkimin e dy operatorëve, konkretisht: kompaninë italiane “De Mare” srl. Kjo e fundit është regjistruar në QKR vetëm 3 ditë para tenderit, si dhe kompaninë shqiptare “Viktoria Invest International”.
Sipas njoftimit zyrtar të AKUM, tenderi ishte zhvilluar pa garë, më saktë me procedurën e “negociimit paraprak, pa shpallje”, nën argumentin e situatës emergjente të krijuar pas tërmetit të 26 Nëntorit 2019. /abcnews.al